Qeveria nuk e kontrollon tokën e Kosovës
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me ngritjen e shqetësimeve të ndryshme nga ana e deputetëve, mbi të cilat ka qenë çështja e veriut të Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë se veriu i Kosovës nga 26 korriku është shndërruar në poligon të Beogradit, ku funksionon ligji i bandave të Serbisë dhe barrikadave.
Ai ka thënë se në veri të vendit është një situatë krejtësisht tjetër nga ajo që paraqet Qeveria e Kosovës, përderisa pushteti komunal, sipas tij, është vënë aktivisht në funksion të ndarjes së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës krejt sovranitetin e Republikës e ka kufizuar në vendosjen e një grushti doganierësh në veri me helikopterë. Qeveria në vend se të na tregojnë planin operacional, ajo po krenohet me helikopterin e KFOR-it. Qarkullimi nëpër qiell tregon se Qeveria fatkeqësisht nuk po e kontrollon tokën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Sipas Konjufcës, moslejimi i mallrave të Serbisë në Kosovë do të mund të shërbente si presion për njohjen e Kosovës nga Serbia, por ai ka thënë se kryeministri Thaçi është vënë më shumë në shërbim të interesave ekonomikë të Serbisë sesa të Kosovës.
Më tej ai ka theksuar se ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, më shumë e pengojnë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në veri, siç ishte vizita e deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në një lagje në Mitrovicë, sesa prezenca e bandave serbe atje.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Bajram Rexhepi ka dhënë një informatë për zhvillimet e fundit në veriun e vendit, përderisa ka shprehur gatishmërinë që në seancën e ardhshme nëse kërkohet të diskutohet për veriun, të jap detaje të tjera.
Gjatë kësaj seance janë shtruar edhe çështje të ndryshme, siç është gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, për ç’gjë nga deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu është kërkuar që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, por kryeparlamentari Jakup Krasniqi i ka bërë të qartë se për këtë çështje kërkohet respektimi i procedurave. (Kosovapress)