Brunei drejt njohjes së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve anëtare të Ligës Arabe dhe Organizatës për Kooperim Islamik, ku kanë marrë premtime për njohje të pavarësisë së Kosovës nga disa shtete anëtare të këtyre dy organizatave.
Kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj po ashtu kanë takuar Princin e Sulltanatit të Bruneit, Al-Muhtadee Billah Ibn.
Zyra për informim i Ministrisë së Punëve të Jashtme thotë se Princi gjatë takimit i ka konfirmuar Thaçit dhe Hoxhajt, se shteti i tij është në proces të vendimmarrjes për njohjen e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur.
Kryeministri Thaçi e ka falënderuar Princin Al-Muhtadee Billah Ibn dhe ka theksuar se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Republika e Kosovës është e interesuar të zhvilloj marrëdhëniet ekonomike, arsimore dhe kulturore me Brunein.
Po ashtu, kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve anëtare të CARICOM-it, ku kanë marrë premtime edhe nga këto shtete për njohjen e Republikës së Kosovës në një të ardhme të afërt.
Kurse ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim tjetër me ministrin e Drejtësisë të Zelandës së Re, i cili kryeson delegacionin e këtij shteti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata kanë biseduar për intensifikimin e marrëdhënieve e gjithanshme bilaterale mes dy shteteve.
Po ashtu, Hoxhaj ka takuar disa përfaqësues të vendeve që shtrihen në ishujt e Pacifikut. Ai ka kërkuar nga udhëheqësit e tyre që sa më shpejtë të marrin vendimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, vendim që do të ndikonte në stabilitetin e rajonit.
Ndërkaq gjatë kësaj dite, ministri Enver Hoxhaj dhe homologu i tij nga Malta, Tonio Borg, kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maltës.
“Pas njohjes së Kosovës në gusht 2008, sot me ministrin Hoxhaj vendosëm marrëdhënie diplomatike dhe biseduam për bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, ka thënë Borg.
Në këtë takim, dy ministrat kanë biseduar për tri çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, siç janë proceset integruese euroatlantike, mbështetjen që mund të jap Malta për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me BE-në nga Kosova si dhe për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Gjatë ditës, kryeministri Thaçi dhe ministri Hoxhaj kanë zhvilluar një takim edhe me Emirin e Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani, i cili ka premtuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare.