SBASHK: Drejtorët arsimor bëjnë shkelje ligjore

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës të enjten ka bërë të ditur se drejtoritë arsimore nëpër komunat e Kosovës, në të shumtën e rasteve shkelin ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës në çdo fillim-vit, me kontratat e punës të të punësuarve në arsimin parauniversitar. SBASHK-u u kërkon drejtorëve komunal që në një afat sa më të shkurtër t`i tërheqin kontratat njëvjeçare dhe t’iu lëshojnë mësimdhënësve kontrata sipas ligjeve në fuqi.
SBASHK-u duke konsultuar Ligjin e punës, Ligji i shërbyesve civil, Ligji i arsimit parauniversitar, Ligji për marrëdhënie pune dhe udhëzimet administrative të vitit 2008 dhe 2010 të lëshuar nga kabineti i MASHT-it, konsideron se po bëhen shkelje drastike ligjore dhe reagon me abuzimet e shumë drejtorëve të DKA-ve, të cilët për të siguruar lojalitetin e punëtorëve arsimor lëshojnë kontrata të punës njëvjeçare në kundërshtim të plotë ligjor. Dhe sipas SBASHK-ut, në këtë mënyrë reagimi zinxhiror dhe shumë i arsyeshëm i mësimdhënësve do ta rrezikonte vijimin normal të procesit mësimor. Për këtë është informuar Ministri i arsimit, i cili sipas SBASHK-ut, ka shprehur habinë pse ndodhe një gjë e tillë.
SBASHK-u ka prezantuar nenet e Udhëzimit Administrativ për licencimin e vendi të punës.
Në Udhëzimin Administrativ nr. 5/2010 të datës 27.04.2010 sipas nenit 6, llojet e licencave të mësimdhënësve parauniversitar janë dy lloj: licenca të përkohshme dhe licencë e rregullt. Licencat e përkohshme lëshohen për mësimdhënësit fillestar dhe mësimdhënësit e pakualifikuar. Licencat e përkohshme, në bazë të nenit 9, do të lëshohen për një periudhë një vjeçare. Licenca e rregullt iu lëshohet mësimdhënëseve të kualifikuar dhe që kanë së paku 2 vjet përvojë pune në bazë të nenit 10 dhe nenit 11. Kohëzgjatja e licencës së rregullt sipas nenit 13, pika 2, është së paku 5 vjet, e cila duhet të ripërtërihet nëse mësimdhënësit tregojnë rezultate pozitive të performancës dhe specifikave tjera që përshkruhen në këtë nen.
Gjithashtu edhe në Udhëzimin Administrativ të më hershëm nr. 16/2008, lëshuar më 23.09. 2008, në bazë të nenit 5.1.2, licencat e përkohshme lëshohen në kohëzgjatje për dy vite. Licenca të përkohshme sipas nenit 5.1 konsiderohen arsimtarët fillestar që kanë kryer shkollimin përkatës në fakultet arsimore dhe arsimtarët që kanë kryer shkollimin në fakultete jo arsimore, që duhet të rikualifikohen, apo të mbajnë trajnime sipas programeve që plotësojnë standardet e MASHT-it.
SBASHK-u po ashtu thekson se në Kuvendin e Kosovës është aprovuar Ligji i arsimit parauniversitar dhe SBASHK-u është në dijeni se këtë ligj e ka nënshkruar presidentja e Kosovës dhe pritet të dalë në fletën zyrtare, ku sipas nenit 33 pika 7 parashihen kontrata të përkohshme për mësimdhënësit fillestar dhe kontrata 5 vjeçare për mësimdhënësit e licencuar.
SBASHK-u kërkon nga të gjitha drejtoritë komunale në një afat sa më të shkurtër që t`i tërheqin kontratat njëvjeçare dhe t’iu lëshojnë mësimdhënësve kontrata sipas ligjeve në fuqi.