E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith shkon në shtator

Mbikëqyrja e pavarësisë do të përfundojë në shtator, bashkë me mandatin e Shefit të ICO’së, Pieter Feith. Zyrtarët e këtij mekanizmi thonë se janë të inkurajuar nga përkushtimi i institucioneve të Kosovës për të kryer obligimet që kanë mbetur nga Plani i Ahtisaarit. Kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, Arsim Bajrami thotë po ashtu se mbikëqyrja përfundon në vjeshtë.

Takimi i fundit i Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën që do të mbahet më 13 shtator, do ta gjejë Prishtinën me të gjitha obligimet e përfunduara sa i përket përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Deri atëherë, Kuvendi i Kosovës pritet të ndryshojë 22 ligje që kanë të bëjnë përgjegjësitë e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë si dhe do të ndryshohen amendamentet e Kushtetutës që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e ndërkombëtarëve.

Por, para takimit të fundit, GND’ja do të takohet më 2 korrik të këtij viti për të vlerësuar përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Megjithëkëtë, është përmendur se Shefi i ICO’së, Peter Feith po mundohet të ngadalësojë përfundimin e mbikëqyrjes për t`ia zgjatur mandatin vetes, por se zyra e tij ka mohuar një gjë të tillë.

Zëdhënësi i ICO’së, Christian Palme ka thënë se GND’ja pritet të marrë vendim për ndërprerjen e mandatit të Peter Feithit, kur Kosova t`i përmbushë kushtet që dalin nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin.

“Në takimin e ISG’së me datën 2 korrik, do të shqyrtohet progresi i bërë dhe propozimi për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Ne jemi të inkurajuar nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të Kosovës për t’i zbatuar obligimet e mbetura nga PGJS’ja. Në takimin e ardhshëm të ISG’së, do të shqyrtohet dhënia e dritës së gjelbër Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për aprovimin e pakos së ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i ICO’së ka sqaruar se në takimin e fundit që pritet të mbahet në pjesën e parë të shtatorit, pritet të ndërpritet edhe mandati i diplomatit holandez.

“Pastaj, në takimin përfundimtar të ISG’së, që do të mbahet në muajin shtator, do të ndërpritet mandati i ICR’së, pas miratimit të suksesshëm të ndryshimeve të nevojshme kushtetuese dhe të atyre në legjislacionin primar”, ka thënë Zëdhënësi i ICO’së.

Ndryshe, institucionet e Kosovës janë zotuar se deri në shtator, do të jenë gati për të marrë përgjegjësitë për të përfunduar procesin e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Jemi dy javë para agjendës si Komision, këtë të premte kemi përgatitur për votim pakon e 22 ligjeve dhe para datës 10 shtator, ne do të përfundojmë edhe miratimin e ligjeve në lexim të dytë dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese”, ka thënë Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese.

Sipas tij, Komisioni nuk ka informacione për ndonjë shtyrje eventuale të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Sa i përket Komisionit Kushtetues, jo vetëm që jemi brenda agjendës, por jemi edhe pak para kohës, për shkak se e kemi marrë me përkushtim këtë proces dhe deri më tani nuk kemi asnjë informacion dhe asnjë kërkesë për çfarëdo shtyrje të procesit. Përkundrazi, çdo gjë është e koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar, edhe me Qeverinë e Kosovë, dhe jemi brenda limiteve kohore”, ka thënë Bajrami.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues përbëhet nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe bëjnë monitorimin e zbatimit të Planit të Ahtisaarit.

GND’ja në takimin e fundit ka paralajmëruar se pavarësia e mbikëqyrur do të përfundojë deri në shtator të këtij viti.

Sipas mbikëqyrësve, Veriu nuk do të jetë problem për përfundimin e mbikëqyrjes e pavarësisë, derisa institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se edhe në pjesën më problematike të vendit, do të ketë veprime për të zbatuar Kushtetutën dhe dokumentet ndërkombëtare.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt dhe deri më tash është njohur nga rreth 90 shtete, duke përfshirë SHBA’në, Gjermaninë e Francën, por që kundërshtohet nga Rusia e Kina.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›