Kushtet shtesë për Serbinë lidhur me Kosovën

Ato kushte janë përsëritur disa herë nga zyrtarë të BE-s, shkruajnë mediet serbe.
E kushte shtesë për Beogradin, nëse dëshiron vazhdim të rrugës së euro-integrimit, janë:
- Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme midis Beogradit dhe Prishtinës (të cilat Beogradi, Prishtina dhe Brukseli i komentojnë në mënyra të ndryshme)
- Shpërbërja e institucioneve paralele në veri të Kosovës, e ku mendohet për institucionet arsimore dhe shëndetësore
- Hapja e zyrës së Beogradit në Prishtinë dhe të Prishtinës në Beograd
- Pezullimi i gjykatës në veri të Mitrovicës
- Kodi i veçantë telefonik për Kosovën
- Takimi në nivelin më të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës
Gazeta serbe “Politika”, shkruan sot se është e vërtetë që të gjitha këto nuk janë qëndrime zyrtare të Komisionit Evropian, por është e vërtetë që ato i janë thënë palës serbe disa herë si qëndrime të shteteve më me ndikim të Bashkimit Evropian.
Aleksander Vuçiq, ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Përparimtare të Serbisë, dje ka pohuar se hapja e zyrave nuk është kusht i BE-së por që për to bisedohet prej dy-tre vjetësh.
Po sipas kësaj gazete, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësuese së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Catherine Ashton, ka deklaruar se BE nuk ka përcaktuar kushte të reja për afrim të Serbisë kah BE-ja, por njëkohësisht ka përmendur qëndrimin e Këshillit Evropian i cili nga Serbia kërkon që nëpërmjet hapjes së dialogut të arrijë përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën.
Nuk janë të rastësishme as qëndrimet e Ivica Daçiqit, shkruan kjo e përditshme, i cili në këto momente mban litarët në duar kur është në pyetje formimi i qeverisë së ardhshme.
“Mendoni se do të mundemi në qeverinë e cila pas tri ditësh do të thotë se duhet hapur zyra e qeverisë së Serbisë në Prishtinë dhe e qeverisë së Kosovës në Beograd”, është shprehur Daçiq, lider i Partisë Socialiste të Serbisë.