Fela, deputetja-shembull si bymehet e tkurret një forcë politike
Deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj është një grua e palodhshme për organizatën politike që përfaqëson. Është zhvlerësuar aq shumë përpara kamera sa që thonë se në shtëpi familjarët trembet kur flet seriozisht për afera korruptive. Është një vullkan i pashterrshëm në akuza Znj. Felaj. Ajo nuk resht se denoncuari përditë, për më shumë se një muaj, Ministri Z. Genc Ruli siç bëri për rutinë edhe dje, në një konferencë për shtyp ku publikoi një kinse dosje me pretendim e aferave në koncesionet hidroenergjetike në lumin Bënçë. Është taktikë e njohur e marrëdhënieve me publikun të PS-se, që në fillim krijon tym në publik, e më pas i fryn tymit për ta bërë më të mjegullt çështjen e lartpërmendur. Pa arritur asnjë rezultat. I njëjti skenar është përdorur edhe më parë nga PS-ja kur akuzonte ish-Ministrin Prifti ose /dhe u ri-përdor në qëndër të ciklonit hyri Ministrja e Integrimit Znj. Majlinda Bregu.
Kuptohet vetiu se fakti i vetëm që ish-prokurorja i Beratit paraqiti ditën e djeshme në media nuk ishte një fakt, por një aluzion tipik. Ajo tha në një konferencë se “Ministri Ruli ka marrë pjesë dhe personalisht në të gjitha vendimmarrjet që kanë favorizuar shoqërinë Ferar sh.p.k pas së cilës qëndron shoqëria e bashkëshortit të deputetes Rajmonda Bulku kompania Alfa projekt 2006”. Nuk paraqiti asnjë dokument. Ka vetëm një ankesë për skualifikimin enjë shoqërie italiane që s’kish plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Këtë e dinë të gjithë. Ndonëse të gjithë heshtin. Kanë frikë se emri i tyre përfundon në agjendën e luftës politike.
Gjithsesi për të çmontuar këtë teori akuzatore të ish-prokurores Felaj nuk duhet një avokat mbrojtjes, pasi me pak logjikë gjithçka bie poshtë.
Së pari: Ministri i Ekonomisë në çdo vend të botës firmos shkresa me rëndësi dhe nëse Znj.Felaj i quan “Ministri Ruli ka marrë pjesë dhe personalisht në të gjitha vendimmarrjet” kjo është legjitime, ndonëse e pandershme. Është e pandershme se ngatërron procedurat ligjore me moralin.
Së dyti: burri i deputetes Bulku është vetëm një nga 20 e sa inxhinierët e punësuar nga shoqëria “Alfa projekt”. Me një llaf bashkëshorti i Znj. Rajmonda Bulku nuk është pronari ose administratori i kësaj shoqërie, por një punonjës. Aluzione që bën ish-prokurorja Znj. Felaj janë hamendësime të turpshme që fyejnë inteligjencën njerëzore.
Së treti: si ka mundësi që një ish-përfaqësuese e ligjit të investohen në ngritje padish morale, dhe jo ligjore ndaj Ministrit Ruli, apo deputetes Bulku. Pa prova dhe pa fakte, gjithçka mbetet në nivelin e thashethemeve që ushqehen nga xhelozia, apo zilia e konkurrentëve. Ish-grevistja e urisë ndez makinën e baltosjes së figurës së Ministrit Ruli për të vetmin motiv që e detyroi të ndërmerrte ndërprerjen e ushqimit: urdhrat e Edi Ramës. Këtij opozitari të pandreqshëm që dëften karakterin cinik në insinuata dhe inskenime gjyqesh popullore të turpshme.
Sidoqoftë ka më shumë se 365 ditë që strategjia e re e denoncimit të “korrupsionit” me pyetje të sojit “Fela” na bajatën. S’thonë asgjë. Përkundrazi minimizojnë kauzën e opozitës për transparencë sepse vërtetojnë se PS-ja nuk është në gjendje të provojë apo të gjejë fakte për aq sa pretendon. Gjithsesi mund të jetë pa tërheqësi në momentin e parë të fushatës së de-legjitimit, por më vonë të shastisin për foshnjërinë e deklaratave apo trakteve jakobine. Vjen një moment kur njeriu thotë “boll, po spekuloni!”.
Gjithashtu duhet pranuar se Partia Socialiste është në një hall të madh. Drejtimi i partisë nga Edi Rama pothuajse ka tkurrur krejt elementin intelektual në Parti duke për rrjedhojë favorizimin e servilizmit partiak të konferencave dhe podiumeve ku lexojnë hartime anti-diçka qeveritare. Është bibla e së majtës të fajësojë të tjerët për të dështimet e veprimeve të saja politike.