Felaj: Berisha të deklarojë mbi persekutimet e mjekëve
10/02/2010 Partia Socialiste shigjetoi ashpër kryeministrin Berisha në lidhje me persekutimet politike gjatë regjimit komunist si dhe me hapjen e dosjeve. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, ndalur në një moment të tillë, vuri në dukje se “jam shumë dakord me ata që thonë kush ka kryer krime në të shkuarën, duhet të largohet nga jeta publike, prandaj kam një pyetje për Sali Berishën: A nuk është koha zoti Sali, që shqiptarët ta dinë të vërtetën e internimit të dy mjekëve të pafajshëm, burrë e grua, që ju personalisht, si Sekretar i Partisë së Enver Hoxhës, i persekutuat deri sa përfunduan në kamionin e Degës së Brendshme me gjithë plaçkat e shtëpisë?!". Ky reagim erdhi pas deklaratave të Berishës dhe drejtuesve e përfaqësuesve të tjerë të maxhorancës, për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare që do të hetojë persekutimet politike gjatë regjimit komunist, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese anuloi ligjin për hapjen e dosjeve dhe largimin nga jeta publike të bashkëpunëtorëve të sigurimit.