E Diel, 1 Nëntor 2026

Pedofili detyron minorenin t’i prekë organet gjenitale

10/02/2010  Ngjarja në zonën e “Ali Demit”. Policia arreston Pjetër Ndrevatën nga Tropoja
TIRANE- Një 60-vjeçar është vënë pas hekurave, pasi sipas policisë së kryeqytetit, ai dyshohet se ka kryer veprime pedofilie ndaj një fëmije 5-vjeçar, duke e ngacmuar seksualisht atë. Ka mjaftuar vetëm një denoncim që efektivat e komisariatit nr.1 të Tiranës të arrestojnë shtetasin Pjetër Ndrevata, duke ngritur ndaj tij akuzën e kryerjes së veprave të turpshme me persona që nuk kanë arritur moshën 14 vjeç. Uniformat blu thanë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e “Ali Demit”, ku 60-vjeçari Ndrevata, me origjinë nga qyteti i Tropojës, dhe minoreni banonin prej disa vitesh në një lagje, ku dhe ishin komshinj. Hyrje-daljet e shpeshta kanë bërë që 60-vjeçarit t’i lindin ndjenja pedofilie ndaj minorenit 5-vjeçar dhe për pasojë, Ndrevata ka filluar të japë shenjat e para duke ngacmuar seksualisht fëmijën e komshiut të tij. Mirëpo kjo gjë sa vinte bëhej edhe më e shpeshtë, dhe e çoi minorenin t’u tregojë gjithçka prindërve të tij. 5-vjeçari pohoi se 60-vjeçari Ndrevata e kishte detyruar ta prekte disa herë në organet gjenitale, dëshmi kjo që irritoi menjëherë prindërit e tij. Këta të fundit kanë vendosur që veprimet e turpshme të komshiut të tyre t’i ndjekin nëpërmjet institucioneve ligjzbatuese, duke depozituar një kallëzim penal ndaj 60-vjeçarit Ndrevata. Babai i fëmijës u ka thënë agjentëve të policisë se veprimet abuzive i arrestuari i kryente në banesën e tij. Lidhur me këtë gjë, policia ka shkuar menjëherë në banesën e Pjetër Ndrevatës, të cilin e ka arrestuar në kushtet e flagrancës. Vetë 60-vjeçari ka mohuar akuzat e minorenit, duke thënë se s’ka kryer asnjë veprim të turpshëm ndaj tij. Por kjo dëshmi ka rënë poshtë gjatë deklarimeve të 5-vjeçarit, i cili në prani edhe të një psikologu ka pohuar se Ndrevata ka abuzuar me të në periudha dhe kohë të ndryshme. Aktualisht ndaj 60-vjeçarit u ngrit akuza e kryerjes së veprave të turpshme dhe pritet që në ditët në vazhdim të paraqitet për masë sigurimi në gjykatë.
ǒparashikon Kodi Penal
Neni 108 i Kodit Penal parashikon se kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën 14 vjeç, dënohet me burgim deri në 5 vjet. Ndërkohë që neni 107, që flet për marrëdhëniet seksuale ose homoseksuale në publik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit.
Precedenti me anglezët
I njëjti precedent ka ndodhur pak kohë më parë në kryeqytet, kur tre anglezë, që shërbenin në një qendër bamirësie, abuzonin seksualisht me fëmijët e saj. Skandali u zbulua dhe shtetasit Dino Kristodudu, Devid Braun, Robin Arnold u arrestuan nga policia. Prokuroria hetoi ngjarjen dhe aktualisht ata janë dënuar nga gjykata me disa vite burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›