E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia: Deri më 15 shkurt shërbime në kopshte e çerdhe

10/02/2010  Këshilli Bashkiak nuk miraton buxhetin. E djathta: Ekzistojnë modalitete për t’i zgjidhur
ELBASAN- Kopshtet e çerdhet rrezikojnë të mbeten pa ushqim e ngrohje duke filluar nga 15 shkurti. Lajmi bëhet i ditur nga Bashkia Elbasan që mbetet ende pa buxhet të miratuar dy muaj, pasi e ka prezantuar në Këshillin Bashkiak. Megjithëse pritej të arrihej një konsensus brenda janarit, kjo gjë nuk ka ndodhur. E djathta ka shtyrë për të dytën herë miratimin e buxhetit nën pretendimin se shifrat nuk janë reale dhe se buxheti është fryrë për të mbajtur njerëzit në punë e për të rritur në mënyrë artificiale investimet. Por grupi i këshilltarëve të majtë e ka cilësuar mosmiratimin pasojë e një urdhri politik nga PD-ja.
Pasojat
Kreu i këshilltarëve të majtë Agim Leka thotë se pasojat që do të sjellë mos miratimi do të bjerë tek fëmijët, tek shërbimet, investimet, por edhe pagat. “Ata zbatuan një urdhër politik që të mos miratohet buxheti. Kjo është në dëm të punonjësve të bashkisë, në dëm të kopshteve, të çerdheve, të konvikteve, në dëm të qytetit, pasi kjo do të thotë të bllokosh të gjitha këto shërbime dhe njëkohësisht të rrezikosh edhe shkurtimin e administratës vendore padrejtësisht, vetëm me një urdhër politik. Kjo është e padrejtë. Nëse nuk miratohet do të mbesin pa shërbime edhe qytetarët e Elbasanit. Do të pengohen investimet, furnizimi i kopshteve dhe çerdheve, do të pengohet njëkohësisht edhe rrogat e administratës. Nëse materializohet kërkesa e PD-së ku kërkohet të shkurtohen 20-25% e administratës kjo nuk është normale. Nuk mund të hiqen njerëz nga puna me vendime politike. Kjo kërkesë e PD-së për të pushuar njerëz nga puna nuk është normale. Ndërkohë kreu i bashkisë Qazim Sejdini tha se ka një ulje të shifrave si dhe disa shkurtime të punonjësve, por Eugen Isai, kreu i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues i të djathtës tha se shkurtimet nuk janë ato të kërkuara nga e djathta që ka lidhje pikërisht me shkurtimet e personave që janë punësuar tepër dy vitet e fundit. PD akuzon kreun e Bashkisë se ka fryrë ndjeshëm administratën duke rritur fondin e pagave. Pritet që mbledhja e radhës të zhvillohet në 26 shkurt kur edhe mund të miratohet buxheti i vitit 2010 për Bashkinë Elbasan, por deri atëherë pritet të gjendet një zgjidhje për çerdhet e kopshtet që mbeten pa ushqim e ngrohje për të paktën 15 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›