Fëmija 4-vjeçare me HIV persekutohet në kopsht
Një vajzë e mitur, e infektuar me HIV AIDS gjatë një transplantimi gjaku, po diskriminohet në mënyrë të vazhdueshme në kopshtin e qytetit të Belshit. Përveç vështirësive që duhet të përballen me bashkëjetesën e kësaj sëmundje fatale, ndaj vajzës 4-vjeçare dhe prindërve të saj u shtohet një presion i vazhdueshëm nga prindërit e fëmijëve të tjerë. Violeta, nëna e dy binjakëve, njëra prej të cilave është infektuar, përballet çdo ditë me presionin psikologjik të prindërve të tjerë që kërkojnë izolimin e 4-vjeçares. Ndërkohë edukatoret e kopshtit shprehen se nuk mund t’i japin zgjidhje këtij problemi. Sipas tyre, ky shqetësim është përcjellë prej disa ditësh te autoritetet që duhet të marrin masa, por sërish nuk është marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga këto institucione. Prindërit e tjerë kërcënojnë se nuk do të sjellin më fëmijët pasi ndihen të rrezikuar nga sëmundja e 4-vjeçares.
Konflikti
E mitura është infektuar ndërsa ishte shtruar në një spital pediatrik. Për këtë nëna e saj hapi një proces gjyqësor ndaj mjekëve, por e humbi çështjen. Ndërsa tani është në një tjetër proces me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Mjeku vazhdon të punojë i qetë, ndërkohë që proceset gjyqësore vijojnë prej vitesh dhe ende nuk kanë përfunduar”, thotë Violeta. Konflikti i fundit në kopsht, ka shkuar deri në Ministritë Arsimit dhe të Shëndetësisë. Inspektorët e tyre janë takuar me palët, por asnjë zgjidhje nuk është dhënë. Ndërkohë nëna e vajzës së mitur akuzon edukatoren për këtë situatë. Edukatorja shprehet se ajo se ka problem të kujdeset edhe vajzën e sëmurë mirëpo janë prindërit ata që nuk e lejojnë një fakt të tillë.
Precedentët
Infektimi i vajzës 4-vjeçare nuk është rasti i parë që ndodh për shkak të pakujdesisë së autoriteteve shëndetësore. Të tilla raste ka pasur në qytetin e Lushnjës, Fierit madje edhe në Tiranë. Një nga shoqatat që e ka denoncuar ashpër këtë fakt ka qenë edhe Shoqata e Talasemikëve. Drejtuesit e kësaj shoqate në jo pak raste e kanë ngritur zërin duke thënë se nga pakujdesia janë infektuar shumë fëmijë që kanë pasur nevojë për gjak dhe shteti i ka lënë në mëshirë të fatit këta të infektuar.
Mjedisi, Shqipëria renditet në vendin e 23 në botë
Shqipëria renditet në vendin e 23-të në botë për indeksin e performancës mjedisore. Raporti është publikuar në Zvicrës dhe Shqipëria është e vlerësuar me 71.4 pikë nga 100 të mundshme. Në renditje bëjnë pjesë 163 vendet të monitoruara nga EPI. Ministria e Mjedisit njofton se, monitorimi, vlerësimi, hartimi dhe publikimi i raportit është bërë nga katër qendra të specializuara dhe prestigjioze ndërkombëtare për mjedisin: Universiteti i Yale-s (Qendra për Politikat dhe Legjislacionin Mjedisor) dhe Universiteti Columbia (Qendra për Rrjetin Informativ Ndërkombëtar për Shkencën e Tokës) në SHBA, Qendra Kërkimore e Përbashkët e Komisionit Europian në Ispra, Itali dhe Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës. “Rezultatet janë nxjerrë nga grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave nga institucione të specializuara si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), UNICEF, FAO, etj”, thuhet në njoftimin e ministrisë së mjedisit. Kategoritë e monitoruara përfshijë, mjedisin e shëndetshëm, cilësinë e ajrit, menaxhimin e burimeve ujore, biodiversitetin dhe habitatet, pyjet, peshkimin, bujqësinë dhe ndryshimet klimatike. “Janë monitoruar 25 tregues si përmbajtja në ajër e dioksidit të sulfurit, ozoni, karboni industrial, grimcat e pluhurit, emisionet në ajër për frymë të popullsisë, përdorimi i pesticideve, biodiversiteti, zonat e mbrojtura, indeksi i cilësisë së ujit, etj. Treguesit e publikuar nga të dhënat e monitoruara janë vlerësuar edhe në kuadrin e masave dhe politikave që janë ndjekur për përmirësimin e tyre”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mjedisit.
Qeveria turke ofron bursa studimi për studentët shqiptarë.
Qeveria turke njofton se testimi për studentët shqiptarë, që dëshirojnë të fillojnë studimet e larta në Universitetet e Turqisë, me pagesë, për vitin akademik 2010-2011, do të mbahet në Tiranë, në datën 09 maj të këtij viti. Duke filluar nga data 15 shkurt 2010, në adresën ëëë.osym.gov.tr të Qendrës për përzgjedhjen dhe Sistemimin e Studentëve (ÖSYM) mund të gjenden kushtet për aplikantët, veprimet për aplikim dhe informacione të tjera. Data e fundit për të aplikuar on-line është data 26 shkurt 2010. Aplikantët duhet të depozitojnë një shumë prej 50 $ në numrin e llogarisë ÖSYM-YÖS-6028011-5008, T.C. Ziraat Bankasý, Güvenevler Þubesi, Ankara. Ambasada Turke në Tiranë nuk do të shpërndajë formularë aplikimi dhe udhëzues.
23 Shkurt 2010