E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen përmbytjet në vend pas hapjes së portave



Rikthehen përmbytjet në vend pas hapjes së portave të hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës. Situata është rënduar ndjeshëm në zonën e Nën-Shkodrës, ku situata vazhdon të jetë problematike në fshatrat e Bushatit, Obotit, Ashtës, komuna Ana e Malit, si dhe Dagjat, komuna Dajç e Bregut të Bunës, ku rrezikohen të përmbyten rreth 300 ha tokë. Por, situata më kritike
është në rrugën që të çon në fshatin Obot, ku rruga është e mbuluar me rreth 70 cm ujë. Por, situatë e rënduar është paraqitur dhe në Jug të vendit, ku në Vlorë, 30 familje janë shpërngulur nga rrëshqitjet e dheut.
Situata në Shkodër
Frika dhe tmerri i përjetuar vetëm dy muaj më parë duket se po rikthehet në zonën e Shkodrës. Hapja e portave shkarkuese të hidrocentraleve ka sjellë mbulimin nga uji të disa hektarëve tokë, ndërkohë që në fshatin Ashtë janë vërejtur gërryerje e tokës si pasojë prurjeve të ujit nga shkarkimet e HEC-eve. Nga gërryerjet rrezikohen rreth 10 banesa.
Gjatë mëngjesit të djeshëm është mbledhur Shtabi i Emergjencës për të diskutuar rreth situatës dhe masat që pritet të merren. Mësohet se pas mbledhjes u vendos që banorët e këtyre zonave të pajisen me rezervat ushqimore. Gjithashtu u vendos që forcat e ushtrisë të ndihmojnë banorët që kanë makina të vogla ose pa automjet që qarkullojnë për në fshatin Obot nëpërmjet automjeteve të ushtrisë.
Në ditët e para të 2010-s, qarku i Shkodrës u përfshi nga përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që detyruan hapjen e portave të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin.
Bilanci ishte mbi 11 mijë hektarë tokë të përmbytura, 5000 shtëpi të përmbytura, si dhe 2500 familje të evakuuara. Bëhet e ditur se shkarkimet e kësaj radhe kanë filluar që më 18 shkurt në dy prej tre hidrocentraleve të Drinit me rreth 850 metra kub ujë në sekondë.
Situata në Vlorë
Rreth 30 familje nga fshati i Koculit janë shpërngulur këto ditë nga banesat e tyre pasi këto të fundit janë bërë të pabanueshme dhe në rrezik shembjeje nga erozioni i tokës. Situata në këtë komunë është shumë e rëndë, pasi toka po zhvendoset çdo ditë dhe shumë pak shtëpi mund t’i shpëtojë rrëshqitjes së tokë.
Mbetet e njëjtë situata dhe në fshatin Trevllazër, ku lëvizja e dherave dhe rreziku i shembjes së shtëpive sa vjen e shton alarmin për banorët. Edhe në këtë fshat janë shpërngulur 30 familje, pasi shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme.
Bllokohet hekurudha
Bllokohet hekurudha në Rrogozhinë. Një masiv i konsiderueshëm dheu, balte dhe gurësh ka rënë mbi shtratin e hekurudhës duke ndërprerë komunikimin. Shembja ndodhi mëngjesin e së hënës dhe në vendngjarje po punohet për hapjen e kalimit. Ndërkohë, lëvizja e trenave është ndërprerë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ka vënë në dispozicion mjetet e saj për të bërë kalimin e udhëtarëve në destinacionet e tyre.

Maqedonia hap portat e shkarkimit

Reshjet e shiut dhe të borës kanë detyruar hapjen e të gjitha portave të shkarkimit në liqenin e Ohrit, çka ka rritur ndjeshëm prurjet dhe nivelin e ujit në kaskadën e lumit Drin.
Zyrtarët e komunës së Strugës në Maqedoni kanë thënë se gjendja e liqenit nuk është e zakonshme, ndërsa shtojnë se rrallë ka ndodhur që në mënyrë të detyruar të bëhet hapja e të gjitha portave të shkarkimit. Disa kilometra larg Ohrit, në Peshtan, numërohen disa banesa e bodrume të mbytura nga uji si pasojë e fryrjes së lumenjve në dalje të liqenit. Hapja e portave ka mbingarkuar liqenet e vogla në Glloboçicë dhe Shpile, të cilat shkarkojnë më pas ujin në Drinin e Zi, i cili më tej zbrazet në kaskadën ujëmbledhëse të tri HEC-eve shqiptare që ndodhen në lumin Drin.

Pranga të kërkuarit për trafik mjetesh

DURRËS – Arrestohet Julian Gesualdi (Hysaj), i shpallur në kërkim nga policia për trafikim të mjeteve motorike. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Prokuroria e Rrethit Durrës ka shpallur në kërkim Julian Gesualdin për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike. Ky shtetas, më datë 13.01.2010 është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë e qarkut Durrës pasi në bazë të hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2008 dhe janar- shkurt 2009 ka trafikuar nga Italia në drejtim të Shqipërisë dy automjete të prodhimit të viteve të fundit, të cilat i ka futur në territorin shqiptar nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të Durrësit e Murriqanit, Shkodër. “Kapja e tij u bë e mundur në bashkëpunim më shërbimet e policisë së Rinasit në vijimësi të punës hetimore të bërë për kapjen e tij, gjatë kohës kur po hynte në territorin shqiptar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Rinasit”, - bën të ditur Policia e Durrësit.

Gjendet trupi i pajetë i 47-vjeçarit
LUSHNJË - Një 47-vjeçar nga qyteti i Lushnjës është gjetur i vdekur në trasenë e shinave të trenit. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e qytetit të Lushnjës, ku sqarohet se i vdekuri kish probleme me alkoolin dhe në trupin e tij nuk ka pasur shenja dhune. “Nga veprimet e para hetimore rezultoi se trupi i pajetë i përket shtetasit Behar Çela, 47 vjeç, banues në Lushnjë. Në trupin e viktimës nuk u vërejtën shenja dhune dhe në vijim të veprimeve hetimore ky shtetas njihej si përdorues alkooli tej normave të lejuara”, - thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me ngjarjen. Policia sqaron se 47 vjeçari është gjetur dje rreth orës 07:00, në vendin e quajtur “Stacioni i trenit” në fshatin Dushk të rrethit Lushnjë dhe kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë parë të parët trupin pa jetë të Çelës.

Vetëhelmohet 51-vjeçarja pas vdekjes së djalit

ELBASAN - Një grua i ka dhënë fund jetës duke konsumuar një substancë helmuese pas vdekjes së djalit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 11:45, në Spitalin Kirurgjik Elbasan ka gjetur vdekjen shtetasja Ruze Shaban Rroma, 51 vjeçe, lindur në fshatin Tunjë, Gramsh, banuese në Durrës. Policia e Elbasanit bën të ditur se nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se kjo shtetase, më datë 15.02.2010, ka pirë një sasi helmi të llojit (Rogor) dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Gramshit, nga gjendja tepër e rënduar e saj, është paraqitur në Spitalin Kirurgjik Elbasan. Por, me gjithë ndihmën e dhënë, ajo ka gjetur vdekjen 24 orë më pas. Sipas të dhënave paraprake mësohet se viktima, vetëm disa kohë më parë kishte humbur djalin dhe dyshohet se kjo ka qenë arsyeja që 51-vjeçarja ka vendosur t’i japë fund jetës.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›