Matura, MASH shpall formularët A1 dhe A1-Z dhe udhëzuesit për plotësimin e tyre
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht formularët A1 dhe A1-Z, të cilët duhet të plotësohen nga të gjithë maturantët për të marrë pjesë në provimet e Maturës Shtetërore 2010. Pas publikimit, formularët janë shpërndarë drejt drejtorive arsimore të vendit dhe zyrave rajonale, për t’u dërguar më pas edhe në shkolla. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, plotësimi dhe dorëzimi i formularëve A1 dhe A1-Z, do të përfundojë në datën 10 mars 2010.
Plotësimi
Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, Ministria e Arsimit ka publikuar dje edhe udhëzuesit përkatës për plotësimin e formularëve A1 dhe A1-Z. Kështu, sipas udhëzimit për formularin A1, ai duhet të plotësohet për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore 2010, vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2009-2010. Formulari A1, duhet të plotësohet me shkronja të mëdha (kapitale). Ai do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe maturanti humbet të drejtën e regjistrimit. Pasi të jetë plotësuar, formulari A1 duhet të dorëzohet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH), ku maturanti vazhdon shkollën. Në rast se maturanti ka bërë gabime në plotësimin e formularit, ai mund të plotësojë një formular tjetër A1, i cili zëvendëson të parin. Zëvendësimi i formularëve mund të pranohet nga Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH), vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij (10 mars 2010). Pas këtij afati, maturanti nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime të tjera. Në fund, pas plotësimit, formularët A1 duhet të kontrollohen me kujdes për saktësinë dhe më pas të firmosen nga maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës. Çdo formular duhet të vuloset me vulën e shkollës. Edhe formulari A1-Z, që është i vlefshëm vetëm për maturantët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit aktual, do të plotësohet duke ndjekur të njëjtat rregulla si për formularin A1. Por e vetmja pikë ku ndahen maturantët e rinj nga të vjetrit në plotësimin e formularëve janë lëndët me zgjedhje.
Lëndët me zgjedhje
Sipas udhëzimit për plotësimin e formularit A1-Z, lëndët me zgjedhje mund të rijepen, por dhe mund të mbarten njëra ose të dyja, sipas dëshirës së kandidatit. Nëse lënda (lëndët) që do të mbartet (mbarten) janë dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë. Për shembull, nëse do të mbartni lëndën Fizikë, të cilën e keni dhënë provim dy herë, në Maturën 2007 dhe Maturën 2008, atëherë, në formular duhet të shënoni vitin 2008. Nëse keni mbartur dy lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve të mëparshme, pika 13.2 nuk plotësohet. Nëse keni mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje, duhet të qarkoni vetëm një lëndë me zgjedhje. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni, në listën e lëndëve me zgjedhje, nuk duhet të jetë gjuhë e huaj. Gjithashtu lënda e qarkuar nuk duhet të jetë e njëjtë me lëndën e detyruar apo me lëndën me zgjedhje. Nëse nuk keni mbartur lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009,
atëherë duhet të qarkoni dy lëndë me zgjedhje, në listën e lëndëve me zgjedhje. Lëndët që do të qarkoni, nuk duhet të jenë të dyja gjuhë e huaj. Për shembull, nuk mund të qarkoni: Anglisht dhe Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht etj.
Udhëzime të detajuara për plotësimin e formularit A1
Në hapësirat e lëna bosh tek formulari A1, plotësoni:
1. Shkruani emrin e DAR ose ZA, ku ndodhet shkolla, pranë së cilës ju do të jepni provimin;
2. Shkruani emrin e qytetit ose fshatit, në të cilin ndodhet shkolla juaj;
3. Shkruani emrin e shkollës ku ju po studioni;
4. Bazuar në tabelën Nr.1 (Indekset e profileve/degëve), gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni, për shembull, gjimnazi drejtimi shoqëror, në tabelë ka indeksin 2, në formular ju do shënoni numrin 2 (plotësohet në bashkëpunim me mësuesin kujdestar).
5. Shënoni emrin tuaj; Shënoni emrin e babait; Shënoni mbiemrin tuaj. Kujdes! Të shkruhen me germa kapitale dhe në përputhje me dokumentin e identifikimit. Të bëhet kujdes me shkronjat (Ë) dhe (Ç).
6. Shënoni datëlindjen tuaj, duke plotësuar me dy shifra ditën dhe muajin, (p.sh. 05/12/1989).
7. Vendosni një shenjë në formë kryqi në kutinë që i përket gjinisë suaj. P.sh. nëse i përkisni gjinisë femërore shënoni një kryq [X] në kutinë përbri fjalës “Femër”;
8. Nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Itali shënojnë një kryq [X] në kutinë përbri PO.
9. Qarkoni IV ose V dhe shkronjat përkatëse A, B, C, D, E, F, G, H, I, K, L, M, N, O, P, Q, R, S. (P.sh. nëse jeni në klasën IV B, qarkohet IV dhe shkronja B dhe nëse jeni në klasën V D, qarkohet V dhe shkronja D). Në rastin kur shkolla ka përdorur numra për emërtimin e klasave, mësuesi kujdestar të konvertojë, numrin në shkronjë, sipas radhës së përcaktuar më sipër.
10. Bazuar në listën e lëndëve me zgjedhje të poshtëshënuar qarkoni 2 lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë atyre. P.sh. 6 NJOHURI PËR SHOQËRINË dhe 8.a ANGLISHT. Në lëndët që do të qarkohen, vetëm njëra mund të jetë gjuhë e huaj. P.sh., nuk mund të qarkoni; Anglisht dhe Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht, etj.
Shënim:
Nxënësi firmos në hapësirën e përcaktuar për të.
Mësuesi shkruan emrin dhe mbiemrin (me shkronja kapitale) dhe firmos në hapësirën e përcaktuar për të.
Drejtori, shkruan emrin dhe mbiemrin (me shkronja kapitale) firmos dhe vulos me vulën e shkollës në hapësirën e përcaktuar për të.
Udhëzime të detajuara për plotësimin e formularit A1-Z
Në hapësirat e lëna bosh tek formulari A1-Z, plotësoni:
1. Shkruani emrin e DAR ose ZA, ku ndodhet shkolla, pranë së cilës ju po aplikoni dhe do të jepni provimin;
2. Shkruani emrin e qytetit ose fshatit, në të cilin ndodhet shkolla;
3. Shkruani emrin e shkollës ku keni kryer studimet;
4. Bazuar në tabelën Nr.1 (Indekset e profileve/degëve), gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju keni ndjekur, p.sh. gjimnazi drejtimi shoqëror, në tabelë ka indeksin 2, në formular ju do shënoni numrin 2 (plotësohet në bashkëpunim me mësuesin kujdestar).
5. Shënohet ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008, 2009. Tek MSH (viti) shënohet viti dhe tek ID shënohet numri që keni pasur si ID në atë vit. Nëse jeni pajisur dy a më shumë herë me ID, shënohet viti i fundit dhe ID e vitit të fundit. Nëse kandidati regjistrohet për herë të parë në Maturën Shtetërore, pikën 5 nuk e plotëson. (plotësohet në bashkëpunim me drejtorin e shkollës).
6. Shkruani emrin tuaj; Shkruani emrin e babait; Shkruani mbiemrin tuaj. Kujdes! Të shkruhen me germa kapitale dhe në përputhje me dokumentin e identifikimit. Të bëhet kujdes me germat (Ë) dhe (Ç).
7. Shënoni datëlindjen tuaj, duke plotësuar me dy shifra ditën dhe muajin, (p.sh. 05/12/1989).
8. Vendosni një shenjë në formë kryqi në kutinë që i përket gjinisë suaj. P.sh. nëse i përkisni gjinisë femërore shënoni një kryq [X] në kutinë përbri fjalës “Femër”;
9. Shënoni vitin kur keni përfunduar studimet në shkollën e mesme, (p.sh. ...., 2006, 2007, 2008, 2009).
10. Nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Itali shënojnë një kryq [X] në kutinë përbri PO.
11. Shënoni lëndët e detyruara, notën e shkallëzuar dhe notën vjetore të tyre. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar njërën nga të dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dy lëndëve, notën e shkallëzuar të lëndës që ka likuiduar dhe notën vjetore e të dy lëndëve. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar asnjërën nga të dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dy lëndëve dhe notën vjetore e të dy lëndëve.
12. Lëndët me zgjedhje mund të rijepen, por dhe mund të mbarten njëra ose të dyja, sipas dëshirës së kandidatit.
13.1. Në hapësirat bosh, të shënohet emri i lëndës (lëndëve) me zgjedhje që do mbartet (mbarten) dhe vitin kur është dhënë provim kjo lëndë. Nëse lënda (lëndët) që do të mbartet (mbarten) janë dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë. P.sh., nëse do mbartni lëndën Fizikë, të cilën e keni dhënë provim dy herë, në MSH 2007 dhe MSH 2008, atëherë në formular duhet të shënoni vitin 2008.
13.2. Nëse keni mbartur dy lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve të mëparshme, pika 13.2 nuk plotësohet.
Nëse keni mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje, duhet të qarkoni vetëm një lëndë me zgjedhje. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni, në listën e lëndëve me zgjedhje, nuk duhet të jetë gjuhë e huaj. Gjithashtu lënda e qarkuar nuk duhet të jetë e njëjtë me lëndën e detyruar apo me lëndën me zgjedhje. Nëse nuk keni mbartur lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, atëherë duhet të qarkoni dy lëndë me zgjedhje, në listën e lëndëve me zgjedhje. Lëndët që do të qarkoni,
nuk duhet të jenë të dyja gjuhë e huaj. P.sh., nuk mund të qarkoni: Anglisht dhe Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht etj.
23 Shkurt 2010