E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin paditë në Gjykatë ndaj komisioneve për titujt e pronësisë



Laureta Rryçi

Nisin paditë e para në Gjykatën e Tiranës për komisionet që po shqyrtojnë titujt e pronësisë. Këto padi nuk janë gjë tjetër veçse konflikti më i ri mes qytetarit shqiptar dhe shtetit për të drejtën e pronës. Qytetarët nga Tirana duket se janë të pakënaqur totalisht nga rivlerësimi i aktit të pronësisë që kishin prej më shumë se një dekade në zotërim. Sipas padive që janë depozituar, qytetarët pretendojnë se jo vetëm po humbasin pronat, por ka dhe plot raste kur komisionerët kanë vlerësuar se kanë pasur më shumë tokë nga sa u takonte. Të gjitha këtyre pretendimeve pritet t’u japë një përgjigje përfundimtare Gjykata. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë ka përcaktuar se pas vendimit të komisionit, nëse qytetari nuk bie dakord, mund t’i drejtohet Gjykatës për të kërkuar të drejtën mbi pronën.
Bllokimi
Verifikimi i titujve të pronësisë po mban peng në të gjithë vendin procesin e fshirjes së mbivendosjeve. Kështu që ende pa u gëzuar mirë, pronarët e ligjshëm sërish nuk mund të quhen si të tillë pa mbaruar edhe një kalvar tjetër pritjeje për të marrë certifikatën e pronësisë. Burime pranë Zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohuan se kohët e fundit, procesi i fshirjes së mbivendosjeve është kthyer në një ngërç ligjor. Duket se hartuesit e ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë nuk i kanë bërë mirë kalkulimet që të mos bllokojnë procesin e regjistrimit të pronave. Me gjithë vrullin që pati nisur procesi i mbivendosjeve, sërish përgjigjja përfundimtare duke përcaktuar pronarin e ligjshëm do të vonojë dhe për shumë kohë tjera. Kryeregjistruesi ka saktësuar në vendimet e tij të fundit mbi ankimimet për mbivendosjet se këto prona pezullohen përkohësisht të regjistrohen për shkak se u mungon vendimi për verifikimin e titujve të pronësisë. Edhe pse mund të jesh pronari i ligjshëm, nga momenti në moment rrezikohesh t’i futesh “valles” për ta vërtetuar pronën si tënden. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë ka përcaktuar se për çdo ankesë, menjëherë bllokohet prona deri në saktësimin e pronarit të ligjshëm. Por, edhe nëse nuk i ke hyrë kësaj valleje, nëse ke probleme me regjistrimin e pronës për shkak të mbivendosjeve, sërish vendimi i kryeregjistruesit të detyron t’i drejtohesh për verifikim komisionit vendor për verifikimin e titujve të pronësisë. Derisa të marrë vendimin nga Komisioni Qendror për Verifikimin e Titujve të Pronësisë, më pas, nëse s’je dakord, mund t’i drejtohesh Gjykatës për të ankimuar këtë vendim. Në Gjykatë duhet të kalosh të tria hallkat për të marrë vendimin e formës së prerë, proces që në rastet më të mira zgjat më shumë se katër vjet. Më tej, nëse sërish nuk jeni dakord, i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut me objekt shfuqizimin e vendimeve të gjykatave shqiptare për objekt pronën. Për shkak këtij ngërçi që është krijuar rrezikoni të ndiqni gjithë këtë procedurë të stërzgjatur, edhe pse mund të jeni pronari i ligjshëm.
Verifikimi
Sipas komisioneve vendore për verifikimin e titujve të pronësisë, do të quhen të ligjshme aktet e pronësisë kur madhësia e sipërfaqes së dhënë për familjen bujqësore është mirëllogaritur si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje më 1.8.1991, në regjistrin e zyrës së Gjendjes Civile, pavarësisht shtesave ose pakësimeve të këtij numri në periudhën vijuese. Në rast se ka konflikte mes palëve, komisioni vendor rishqyrton, në rrugë administrative, konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet palëve në rastet kur kjo është kërkuar me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, KV (komisioni vendor), brenda 20 ditëve nga data e vendimit të organeve gjyqësore, merr vendimin përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit, përmbajtja e të cili u njoftohet palëve. Evidenton madhësinë dhe vendndodhjen e sipërfaqes së tokës bujqësore, të liruara nga mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre nga persona fizikë ose juridikë, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve në ligjin për shqyrtimin e titujve të pronësisë. Për tokat e liruara, KV harton procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe komuna ose bashkia), numri kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të SAMT-së dhe sipërfaqja në metër katror, e shoqëruar me një planimetri manuale. Ky procesverbal i dorëzohet përgjegjësit të SAMT-së së qarkut përkatës. Në ligj është parashikuar gjithashtu mënyra se si do të realizohet procesi i verifikimit të titujve të pronësisë. Në bazë të ligjit, me këtë proces do të merret Komisioni Qeveritar i Tokës, që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri. Komisioni në fjalë do të drejtojë dhe do të mbikëqyrë veprimtarinë e komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë nëpërmjet vendimeve që merren në mbledhje, akteve që përgatiten nga sekretariati i KQT-së, kontrolleve që ushtrohen nga KV-të, si dhe marrjes së informacionit për ndarjen e tokës nga struktura të ndryshme shtetërore dhe nga shtetas. Ky komision gjithashtu do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, si dhe do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga KV-të për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për kalimet ose ndryshimet e sipërfaqes së tokës bujqësore nga njëri qark te tjetri, nga njëra komunë ose bashki të tjera, nga njëri fshat te tjetri dhe të ndryshimeve të tjera të tokës, të destinuar për ndarje. KQT-ja gjithashtu u propozon organeve eprore dhënien e masave disiplinore dhe administrative ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast, kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij.

box
Rastet kur komisionet nuk e njohin pronësinë
Ligji parashikon se nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet që nuk përfshihen në zërin "Tokë bujqësore". Pra, sipas këtij ligji, pyjet, livadhet, kullotat, sipërfaqet pyjore dhe të gjitha tokat e ndërmarrjeve bujqësore të ndara në bregdet, nuk janë dhënë në pronësi. Po kështu, nuk përfshihet heqja e tokës bujqësore nga pronësia për ish-ndërmarrjet bujqësore që kanë shpërndarë "Tokë bujqësore". Në Nenin 2 përcaktohen qartë "sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të Ligjit Nr. 8053, datë 21.12.1995 ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore’. Pra nuk përfshihen nga shpronësimi punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore që janë bërë pronarë të tokave bujqësore, por prek përgjithësisht të gjithë ata ish-punonjës ish-ndërmarrjesh bujqësore që kanë marrë në pronësi sipërfaqe toke që nuk kanë qenë të kategorizuara si ‘Tokë bujqësore’ në regjistrat kadastralë të vitit 1991. Toka bujqësore e njohur në regjistrat kadastralë të vitit 1991 dhe e shpërndarë në bazë të Ligjit 7501 dhe disa ligjeve të tjerë shoqërues për ish-ndërmarrjet bujqësore, nuk do t'i njihet në pronësi disponuesit të saj vetëm në rastet kur ajo është marrë në mënyrë të padrejtë. Ky nen përfshin të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me sipërfaqe më të mëdha sesa e ka parashikuar ligji në atë zonë dhe që janë përfituar me anë të mashtrimit dhe shkeljeve të bëra me anëtarët e komisioneve përkatëse të ndarjes së tokës në komuna apo bashki. Hartimi i këtij projektligji synon që të vendosë përfundimisht se të gjitha sipërfaqet e pronave që nuk janë njohur si tokë bujqësore dhe nuk kanë plotësuar kriteret për krijimin dhe fitimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, sipas Vendimit Nr. 225 të vitit 1991, dhe Ligjit 8053, të vitit 1995", për kalimin e tokës bujqësore në pronësi pa shpërblim", nuk mund të jenë në pronësi të individëve të ndryshëm, pavarësisht formave të përdorura për ta marrë në pronësi.

23 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›