Strehim, Bashkia e Tiranës përcakton fondin për familjet që përfitojnë qira të lehtësuar
Eljona Lata
Bashkia e Tiranës edhe për këtë vit në projektet e saj ka të përfshirë personat të cilët trajtohen me qira të lehtësuar. Burime konfidenciale pranë Bashkisë bënë të ditur për gazetën se qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, i ofrohet mundësia e trajtimit me bonus qiraje deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan, kjo e fundit. Të gjithë qytetarët e interesuar për t’u trajtuar me këtë program mund të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, i cili shqyrtohet fillimisht nga Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social dhe më pas nga Komisioni i Strehimit ngritur me vendim të Këshillit Bashkiak.
Përfituesit
Këshilli Bashkiak i Tiranës është organi vendimmarrës, i cili shqyrton dhe miraton listën e përfituesve për programin e bonusit të strehimit. Për miratimin e Komisionit të Strehimit në përbërje të cilit, sikurse parashikohet në vendimin e Këshillit të Ministrave marrin pjesë përfaqësues nga organizata jofitimprurëse të cilat mbrojnë interesat e grupeve të ndryshme sociale të cilët kryejnë “Përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm, afateve dhe procedurave për të përfituar strehim nga programet e banesave sociale me qira”. Aktualisht nga ky program trajtohen 140 familje të pastreha, të cilat kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar në ligji dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij si dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në to. Për vitin 2009 kanë aplikuar për programin e bonusit të strehimit janë miratuar për tu trajtuar me këtë program 49 qytetarë pasi kanë dorëzuar dokumentacion të plotë. Për vitin 2010 kanë aplikuar për këtë program 10 familje. Ndërkohë ky program mbetet i hapur për të gjithë qytetarët në nevojë, që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut.
Projekti
Në programin e strehimit do të përfshihet edhe projekti për ndërtimin e 398 ndërtesave me qëllim social, financimi i të cilave është realizuar nëpërmjet kredisë së përfituar nga Banka e Këshillit të Evropës me shumën e 6 347 mijë euro. Në shpenzimet e këtij programi është parashikuar pagesa e kostos lokale, e cila është detyrim i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, në strategjinë afatmesme të Bashkisë së Tiranës parashikohet propozimi i një programi alternativ të vlerësimit të familjeve që do të aplikojnë për strehim social. Ky projekt është titulluar “Bonusi i qirave” dhe pritet t’i kalojë për miratim Këshillit Bashkiak. Në të do të trajtohen të pastrehët, veçanërisht familjet në vështirësi ekonomike. Vetëm në një vit është parashikuar të trajtohen nga 100-200 të pastrehë. Për këtë, do të propozohet një sistem pikëzimi, i cili do të vlerësojë dhe kategorizimet e përfituesve për të pastrehët. Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar 4005 të pastrehë. Për këtë arsye do të propozohet dhe një program 10-vjeçar për strehimin. Strategjia e strehimit është e ndarë në tri faza, ku do të jetë plani afatshkurtër; plani afatmesëm dhe plani afatgjatë.
Boc
Udhëzimi, si mund të përfitojnë kredi për shtëpi të pastrehët
Ndryshojnë procedurat për të pastrehët që mund të përfitojnë kreditim për blerjen e një banese nga shteti. Ministria e Punëve Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka bërë disa ndryshime në mënyrën e procedurave të përfitimit të kredisë. Këto të dhëna MPPTT-ja i ka sqaruar në një udhëzues të posaçëm, të cilin gazeta “Albania” e publikon sot. Sipas këtij udhëzuesi, të gjitha ato familje që duan të marrin kredi preferenciale për të blerë shtëpi me kosto të ulët duhet të garantojnë një kolateral që të mbulojë 140 për qind të vlerës së apartamentit të blerë. Pavarësisht se për këto familje norma e interesit që do të paguhet është vetëm 3 për qind dhe me afat maturimi 30-vjeçar, kushtet për ta përfituar kredinë fikse nuk janë të njëjta si për apikuesit e tjerë. Sipas MPPTT-së, në udhëzues përcaktohet se: diferenca që rezulton midis vlerës së banesës dhe shumës që krediton banka duke u paguar në mënyrë të menjëhershme nga familja. “Për secilën familje, banka llogarit shumën totale të përafërt të subvencionit për të gjithë jetëgjatësinë e projektit, e cila i njoftohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100 për qind e vlerës së banesës së blerë”, - thuhet në udhëzim. Qeveria ka vendosur që për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit që mbulohet nga faza e parë e projektit do të jetë sipas strukturës së familjes. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës. Ndërkohë, sipas udhëzimit të qeverisë, e drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër.
Shuma që përfitojnë
Shuma që përfitojnë familjet përcaktohet nga zona në të cilën jeton kjo familje. Për vitin 2009 vlerat maksimale të bonusit të strehimit të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak nr. 14, datë 17.07.2009 për “Miratimin e vlerës maksimale të bonusit të strehimit për tre zona të qytetit të Tiranës për familjet në nevojë për strehim”, janë:
12 500 lekë në muaj për familjet të cilat jetojnë me qira në zonën A
8 500 lekë në muaj për familjet të cilat jetojnë me qira në zonën B
6 000 lekë në muaj për familjet të cilat jetojnë me qira në zonën C
Projektet e reja, mënyrat e shfrytëzimit nga banorët
Specialistët e Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), bëjnë të ditur se katet e para të ndërtesave do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar kredinë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas
23 Shkurt 2010