Dëshmitarët e Gërdecit në proces i zë “skleroza”
Laureta Rryçi
Ka dëshmuar dje në procesin Gërdeci, në Gjykatën e Shkallës së Parë, bashkëshortja e Endri Dvoranit, një prej viktimave të tragjedisë së 15 marsit. Mirela Dvorani tregoi dje në cilësinë e dëshmitares së akuzës gjithçka që i kishte treguar bashkëshorti mbi punën e tij të përditshme. Ajo ka shpjeguar se bashkëshorti i saj nuk ka qenë i siguruar në punë dhe nuk ka firmosur kontratë pune. Detyra që ai kryente kishte të bënte me magazinimin e materialeve dhe për këtë paguhej 60 mijë lekë. Dëshmitarja theksoi se bashkëshorti i saj ankohej gjithnjë për orarin e gjatë të punës dhe faktin që nuk kishte asnjë ditë në javë të drejtë pushimi. Mirëpo ndërsa dëshmitarja la sallën e gjyqit, menjëherë një nga prokurorët e çështjes i kërkoi trupit gjykues që të kundërshtonte pjesën më të madhe të thënieve të thëna gjatë seancës. Sipas prokurorëve, dëshmitarja, në momentin që është pyetur nga oficerët gjyqësorë që janë marrë me hetimet, ka dëshmuar se i shoqi fliste shpesh me Mihal Delijorgjin, ndërsa në seancë ajo u shpreh se nuk e mbante mend një fakt të tillë, vetëm i kujtohej për Dritan Minxollin. Më pas, po sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve, Mirela Dvorani ka rrëfyer se i shoqi i ka thënë se në repartin e Gërdecit po përgatitej të niste një projekt i tretë që kishte të bënte po me demontimin. Në këtë projekt, drejtuesit e fabrikës kishin ndër mend të mblidhnin ish-ushtarakë në rezervë për shkak të rëndësisë së projektit. Mirëpo të gjitha këto fakte dhe shumë detaje të tjera, dëshmitarja nuk i kujtoi në seancën e djeshme. Dëshmitarja nuk është e vetme që në shumicën e rasteve përgjigjet se nuk mban mend. Prej disa seancash, një pjesë e mirë e dëshmitarëve të thirrur nga akuza shprehen se nuk mbajnë mend. Gati–gati duket se pothuajse të gjithë janë prekur nga “skleroza”. Përballë kësaj situate, prokurorët detyrohen të bëjnë vazhdimisht kërkesa për kundërshtim thëniesh në seancë dhe përfshirje në procesverbal të thënieve të dhëna para oficerëve gjyqësorë.
Ekspertimi
Në seancën e djeshme kanë dëshmuar edhe disa punonjës të fabrikës, Shqipe Aliu dhe Kujtime Gërdeci, të cilat kanë pohuar se nuk kanë qenë të siguruara dhe nuk kanë pasur kontratë pune. Ndërkaq, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë dorëzuar në seancë procesverbalin në lidhje me ekspertimin që iu bë pak ditë më parë vendit ku dyshohet të jetë gjetur saldatriçja që shpërtheu në flakë duke shkaktuar tragjedinë e 15 marsit. Nga akuza kjo konsiderohet si provë e fortë që tregon se tragjedia u shkaktua si pasojë e një gabimi njerëzor dhe hedh poshtë pretendimin e të pandehurve se behët fjalë për një sabotazh. Mbi bazën e këtij procesverbali, gjykata do të vendosë nëse do ta marrë si provë në shqyrtim gjatë procesit ekspertimin e bërë nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Në tragjedinë e Gërdecit gjetën vdekjen 26 persona, u plagosen 300 të tjerë, ndërsa akuzohen 29 persona. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
Dëshmitarët që dëshmuan në seancën e djeshme
Mirela Dvorani
Fatime Peza
Arjan Gërdeci
Lirim Palushi
Bahri Poçi
Fatbardha Tasani
Kërkesa e avokatëve: Procesi të zhvillohet një herë në javë
Avokatët e procesit të Gërdecit iu drejtuan dje trupit gjykues me një kërkesë me shkrim. 15 avokatët kishin firmosur që procesi për tragjedinë e Gërdecit të zhvillohej vetëm një herë në javë. Sipas kërkesës, prezenca e tyre dy herë në javë për të njëjtin proces kishte sjellë një sabotim të aktivitetit të tyre privat mbi shumë procese të tjera. Mbi këtë kërkesë, që është e hershme, trupi gjykues do të shprehet pas dy javësh. Avokatët kanë kërkuar dhe herë të tjera që procesi të jetë vetëm një herë në javë, por asnjëherë trupi gjykues nuk ka qenë dakord. Kryetari i trupit gjykues është shprehur më parë se ky proces ka më shumë se 330 dëshmitarë për t’u dëgjuar dhe deri tani nuk janë thirrur më shumë se 60 prej tyre. Për këtë arsye, sipas trupit gjykues, ky proces duhet të vijojë me dy herë në javë në mënyrë që të eci me hapat e duhur.
Avokatët kryesisht nisin të bojkotojnë proceset
Avokatët kryesisht, nga dita e djeshme kanë nisur bojkotimin e proceseve. Ata kanë sqaruar se nuk kanë ndër mend të jenë pjesë e proceseve që u janë caktuar derisa institucionet të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj tyre. Sipas avokatëve kryesisht ata kanë gjashtë muaj që nuk kanë marrë pagesën për të gjitha proceset që kanë asistuar. Avokatët kryesisht paguhen nga shteti për të gjithë ata të pandehur që nuk kanë mundësi të mbulojnë shpenzimet duke kontaktuar vetë një avokat. Shkak është bërë mospagesa e tyre prej gjashtë muajsh, ndonëse i janë përgjigjur gjykatës sa herë që ka pasur nevojë për ta në procese të ndryshme gjyqësore. Të papaguar si duhet për punën e bërë, prej gjashtë muajsh ata nuk marrin as atë shumë simbolike që gjykatat u detyrohen. Bojkoti i seancave nga kjo kastë avokatësh që paguhen për seancë dhe jo nga klientë, pritet të sjellë probleme në seksionet penale, pasi mungesa e tyre do të sillte një çoroditje për gjyqtarët dhe shtyrje seancash për pamundësi të caktimit të avokatëve kryesisht. Në total, numri i seancave që këta avokatë zhvillojnë muaj është i madh dhe shuma që u detyrohet këtyre avokatëve ZABGJ është e konsiderueshme. Por, ZABGJ është shprehur se nuk ka fonde ndaj dhe avokatët nuk po paguhen për seancat ku kanë marrë pjesë. Për këtë problem shprehen edhe vetë gjyqtarët e seksioneve penale, duke shtuar se “pagesa duhet të bëhet menjëherë dhe të mos shtyhet, pas bojkoti i avokatëve kryesisht bëhet pengesë për ecurinë e mjaft proceseve gjyqësore”.
23 Shkurt 2010