E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmija i ngujuar: Si vendosa të merrja pjesë në provimin e lirimit

SHKODËR- Fëmijë të ngujuar kanë marrë pjesë në provimin e lirimit për klasën e nëntë, por të shoqëruar me polici. Kanë qenë tre fëmijë të ngujuar, për shkak të gjakmarrjes, që janë të përfshirë prej vitesh në projektin “Shansi i Dytë“, i cili mundëson mësim në kushte të shtëpisë, të cilët jetojnë në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina ,që të shoqëruar me polici kanë marrë pjesë në provimin e zhvilluar në ambientet e shkollës dhe më pas po me polici janë shoqëruar në banesat e tyre. Sipas drejtoreshës rajonale të arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, provimit të lirimit për klasat e 9-ta, që shënon fundin e arsimit të detyrueshëm, i janë nënshtruar 3299 nxënës në Shkodër.

Ashtu dhe si vitet e tjera, nga provimi nuk janë përjashtuar nxënësit me probleme gjakmarrjeje, që janë të ngujuar dhe janë të përfshirë në projektin “Shansi i Dytë“. “Këto nxënës kanë zhvilluar mësim të reduktuar në 25 javë mësimore në kushtet e shtëpisë në ato që quhen vatra dhe grupojnë disa fëmijë, kryesisht të së njëjtës familje apo fis që ka probleme gjakmarrjeje dhe për shkak të ngujimit nuk e frekuentojnë dot shkollën rregullisht .Atyre u kanë bërë mësim mësues që kanë shkuar në këto vatra. Për shkak se provimi i lirimit organizohet në ambientet e shkollave dhe sipas rregullores testi nuk lejohet të dale jashtë këtij ambienti për asnjë arsye, të shoqëruar nga policia , nxënës të ngujuar të klasave të 9-ta kanë shkuar dhe kanë dhënë provimin si gjithë të tjerët “, ka theksuar Ferketi.

K.G është 15 vjeç dhe që nga viti 2008 është i ngujuar. Shkolla ishte mbyllur dhe ai e kishte marrë klasën e shtatë. Një i afërm i tij kryen një vrasje, aty në fshat jo larg shtëpisë së tyre. Që atëherë K.G, së bashku me të tjerë nga fisi i tij, është i ngujuar. Për dy vjet, ai ka qenë përfitues i projektit “Shansi i dytë“, ku një mësues i shkollës së tij dhe banor i zonës vinte tre herë në javë në shtëpi dhe u jepte mësim 5 fëmijëve të kësaj familjeje që ishin në moshë shkollore. Me shumë ngurim, duke i dhënë fjalën se nuk i publikohet as emri i plotë dhe as fotoja, K.G pranon të japë një intervistë të shkurtër.

Si ndihesh brenda i izoluar dhe për faktin që shkollën nuk mund ta vazhdosh si të tjerët?

Jo mirë, por u mësuam dhe, siç thotë gjyshi im, njeriu mësohet me të gjitha, edhe me të keqen. Por shkollën e mora, se vinte mësuesi në shtëpi. Na jepte detyra e shpjegonte mësimet. I jam shumë mirënjohës dhe e falënderoj pa masë.

Ke mbaruar klasën e nëntë, vazhdon të jesh i ngujuar, çfarë do bësh më pas?

Kur të zë një hall i tillë, nuk ke mundësi të mendosh shumë. Të shohim, ishalla na falin ne fëmijëve të paktën. Por për shkollën, nuk mendoj. Në fshatin tim nuk ka shkollë të mesme dhe duhet të shkoj diku tjetër për ta bërë. Pastaj këto vite shkëputje kanë bërë që mësimet të mos i përvetësojmë njëlloj si të ishim çdo ditë në shkollë. Këto mendoj për ta larguar mendjen nga ajo që është kryesore, që jam akoma i ngujuar dhe as që duhet të mendoj për shkollë më tepër.

Çfarë do doje të bëheshe kur të rriteshe, cilat janë ëndrrat tuaja?

Të mund të largohem nga Shqipëria. Edhe po të lirohem nga ngujimi, prapë ekonomia e familjes ka nevojë për punë. Që kur u hoqën vizat, mendoj vetëm të mbush moshën dhe të mund të largohem. Jo për t’i shpëtuar hasmit, se ai të gjen po të dojë, kudo që të jesh, por për të provuar një tjetër fat.

Sa vetë jeni në familje dhe kush punon?

Nuk dua të flas më shumë, jetojmë duke na ndihmuar të afërm që nuk janë në gjak, pra njerëzit nga nëna, ose ata që janë në emigracion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›