E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës e Librazhd mbyten një adoleshent dhe një 46-vjeçar

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 24-06-2011 11:16

DURRËS- Ditën e djeshme dy persona kanë humbur jetën pasi janë mbytur njëri në lumë dhe tjetri det. Sipas burimeve nga policia e Librazhdit mësohet se është mbytur në ujërat e lumit Shkumbin një 16-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit. Viktima me inicialet Adrian Vasku ishte nga nga Qukësi dhe dyshohet të jetë mbytur pasi nuk dinte not. Ndërsa një 46-vjeçar është mbytur dje në plazhin e Shën Pjetrit, në Gjirin e Lalëzit, duke e çuar në katër numrin e viktimave që ka marrë deti që nga fillimi i muajit qershor. Hysen Korriku, banor i fshatit Prezë në Tiranë, ka qenë duke pushuar së bashku me familjen e tij në plazhin e Shën Pjetrit, vend në të cilin kishte ardhur që mëngjesin e ditës së djeshme. Sipas burimeve të policisë së Durrësit, Hysen Korriku ka qenë duke pushuar me familjen dhe rreth orës 12.00 është futur në det për t’u larë. Gjatë kësaj kohe ai është ndier keq, duke kërkuar edhe ndihmë, por shumë shpejt 46-vjeçarin e kanë lënë forcat. Pushues të tjerë e kanë ndihmuar në këtë moment, por ai thuajse është nxjerrë pa ndjenja në bregun e detit. Zona e plazhit të Shën Pjetrit në afërsi të Ishmit dhe më pas duke vazhduar në drejtim të Sukthit, është zonë që frekuentohet shumë nga pushues, të cilët vijnë nga vende të ndryshme. Për shkak të pastërtisë së ujit, rërës së bollshme dhe masivit të gjelbër, mbi këtë gji bregdeti i Ishmit është vënë në shënjestër të pushuesve. Viktima e djeshme mësohet se është mbytur për shkak se 46-vjeçari ka hyrë menjëherë në thellësi, por lodhja ka bërë që ai të mos arrijë të dalë në breg. Plazhi ka pasur shumë pushues dhe në çast i janë përgjigjur alarmit shumë të tillë, të cilët kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’u afruar. Ndihma për të ka qenë e vonuar, pasi ai është zhytur e ka dalë disa herë në sipërfaqe të ujit. Dhjetëra vëzhgues kanë ndjekur në distancë tragjedinë e humbjes së jetës së 46-vjeçarit tiranas. Hysen Korriku është viktima e katërt që humbet jetën duke u larë në det. Vetëm disa ditë më parë, më datë 20 qershor jo shumë larg nga vendi ku është mbytur tiranasi Hysen Korriku, dallgët kanë mbytur 11-vjeçaren nga fshati Radë i Manzës, Françeska Keta. Ndërsa tri ditë më parë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës ka humbur jetën një i moshuar, i cili banonte në Tiranë. Në fillim të muajit qershor një 19-vjeçar po nga Tirana ka humbur jetën teksa ishte futur në det me një varkë për të shëtitur. Përballë një fluksi në rritje të pushuesve si dhe rritjes së temperaturave ditët e fundit, mijëra njerëz i janë drejtuar plazhin në Durrës. Garantimi i jetës dhe sigurisë së tyre në det është lënë në dorë të fatit, pasi në asnjë plazh të bregdetit të Adriatikut, nga Ishmi deri në Golem, nuk ka asnjë kullë vrojtimi, apo stafe me specialistë të rojës bregdetare. Edhe bashkia më e madhe e qarkut, ajo e Durrësit, nuk ka miratuar asnjë fond për rojën bregdetare, pasi nuk është miratuar akoma buxheti i vitit 2011 nga këshilli bashkiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›