Fëmija mbytet në shatërvanin në mes të qytetit
Durrës
DURRËS- Loja me ujin është kthyer në një tragjedi për një fëmijë katër vjeç i cili është mbytur në shatërvanin në qendër të qytetit të Durrësit. Tragjedia ka ndodhur rreth orës 08.50 para bashkisë. Sipas dëshmitarëve, vogëlushi endacak katër vjeçar A. C, lindur në Fier, ishte duke luajtur por ka rënë në basenin e vogël të shatërvanit, i cili ishte i mbushur me ujë. Fëmija ka qenë në shoqërinë e të ëmës, por i është shkëputur vëmendjes së saj dhe ka rënë nga shkalla e objektit në brendësinë e basenit. Kanë qenë punonjësit e ndërmarrjes së gjelbërimit ata që kanë ndjerë klithmat e fëmijës dhe e kanë nxjerrë nga uji. Por gjendja e fëmijës ishte ende e rëndë dhe ai është dërguar në spitalin e qytetit.
Një prej punonjëseve që ndodheshin pranë fëmijës që e humbi jetën aksidentalisht në basenin e ujit të shartërvanit, tha: "Ishte e tmerrshme kur pamë vogëlushin e gjorë që luftonte për jetën dhe ne nuk mundem që t'i jepnin ndihmë". Fëmija nuk ka mundur që të shpëtojë, duke ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital, si pasojë e asfiksimit. Katërvjeçari me iniciale A.C, sipas policisë, ishte rom dhe vinte nga qyteti i Fierit, ndërsa jetonte si endacak duke lypur nëpër rrugët e qytetit bregdetar së bashku me familjen ë tij. Një vit me parë në këtë shatërvan kishte humbur jetën edhe një fëmije e moshës gjashtë vjeç.