E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Përgjegjësitë të dalin pas analizës

Profesori socialist kërkon përgjegjësi në administrimin e situatës dhe unitet: Analiza duhet të tregojë si qëndron e vërteta


TIRANË - Servet Pëllumbi, profesori i Partisë Socialiste, ka komentuar situatën pas mbledhjes së djeshme të asamblesë, duke kërkuar që të ndahen përgjegjësitë për rezultatin zgjedhor, por kjo të bëhet pas një analize të thellë në të gjitha strukturat.


Si një nga themeluesit e partisë, Pëllumbi ka mbajtur një qëndrim të distancuar nga dy "kampet", duke kërkuar që gjithçka të bëhet pas analizës dhe jo në mënyrë të nxituar.


Ai ka konsideruar një pjesë të intrigave që janë vënë re këto ditë në Partinë Socialiste si një lojë dhe provokim i organizuar nga Sali Berisha. "Nuk është koha për përçarje, por për të administruar siç duhet atë që kemi marrë".


Në këtë mënyrë ka nisur fjalën e tij Servet Pëllumbi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.


Më pas ai ka komentuar situatën e krijuar dhe mënyrën se si duhet të nisë punë opozita e re e PS-së. Për Pëllumbin, hapi i parë është hetimi i votës së vjedhur. "Ne duhet të shkojmë në Parlament për të bërë rolin që na takon dhe për të kërkuar hetimin parlamentar të votës së vjedhur.


Ndërkohë, duhet të bëhet një analizë e thellë dhe të mos biem preh e provokimeve të Berishës",- tha profesor Servet Pëllumbi. Në lidhje me situatën e krijuar brenda PS-së dhe kongresin e njoftuar për më 29 gusht, Pëllumbi u shpreh se duhet nisur menjëherë puna. "Tashmë ne duhet të ngremë një grup pune për të përgatitur kongresin e jashtëzakonshëm dhe zgjedhjet e ardhshme partiake që do të mbahen shumë shpejt.


Nga ana tjetër, duhet parë edhe mundësia që të mos ketë rrjedhje votash nga brenda gjirit të PS-së. Duhet gjetur një mënyrë që të sanksionohet në statut se deputetët nuk mund të tentojnë të kalojnë në krahun tjetër",- tha Servet Pëllumbi. Ndërkohë, pasi ka dalë nga Asambleja Kombëtare, Pëllumbi është shprehur në lidhje me mandatet e marra nga Partia Socialiste.


"Vetë fakti që nuk është bërë mazhorancë, do të thotë se Partia Socialiste nuk ka fituar. Edhe pse ka marrë vota më shumë se sa Partia Demokratike, nuk ka marrë mandatet e mjaftueshme për të formuar qeverinë",- tha Servet Pëllumbi.


I pyetur në lidhje me fajtorët për këtë situatë, profesori i PS-së ka kërkuar një analizë të thellë dhe gjithëpërfshirëse. "Fajtorë ka nga të gjitha krahët, si nga ata që quhen fitues, ashtu edhe nga ata që quhen humbës. Analiza duhet të tregojë se si qëndron e vërteta për këto zgjedhje",- pohoi Servet Pëllumbi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›