Ekonomiku, përcaktohen procedurat e provimit për shtatë masterat
Jonida Tashi
Ekonomiku përcakton procedurat që do të ndiqen për të fituar të drejtën e vazhdimit të Masterit në këtë fakultet. Drejtuesit e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, njoftojnë të gjithë aplikantët për programin Master se data e provimit dhe lista e kandidatëve që do hyjnë në konkursin e pranimit do të publikohet pas javës së dytë të këtij muaji. Kalimi i këtij provimi është një ndër kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të vijuar Masterin.
Pranimi
Çdo aplikant që kërkon të ndjekë një nga shtatë masterat që ofron Fakulteti Ekonomik duhet të plotësojë disa kushte, duke nisur që përfundimi i studimeve të larta po në Ekonomik si dhe të ketë mesataren e viteve të fakultetit mbi notën 8. Po ashtu, aplikantët e programit Master duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në lëndët: Matematikë, Statistikë, Anglisht dhe Informatikë. Për të nisur zyrtarisht procedurat e aplikimit, kandidatët duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme: Dëshmi të Gjuhës angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL-i; diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit; dy letra rekomandimi nga persona, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit (të paktën njëri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore); lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare.
Testi
Aplikantët që do të grumbullojnë pikët më të larta në testin special do të kenë më shumë shanse për nisjen e masterit. Hartuesit e këtij testi special kanë përcaktuar edhe pikët maksimale që duhet të marr një kandidat konkurrues. Kështu, në total testi është vlerësuar me 60 pikë. Ndërsa pikët maksimale që janë vendosur nga specialistët e Ekonomikut për pranimet në studimet Master janë 100. Drejtuesit e fakultetit shpjegojnë se ky numër maksimal pikësh është i ndarë në tri pjesë. Mesatarja e diplomimit, e cila duhet të jetë mbi notën tetë do të vlerësohet me 25 pikë. Sipas kësaj logjike, pikët maksimale për mesataren do t’i marrin vetëm aplikantët që kanë mesataren më të lartë, ndërsa llogaritja e pikëve të mesatares për të gjithë aplikuesit e tjerë do të jetë në rend zbritës. Me prioritet për të vazhduar Masterin në Fakultetin Ekonomik do të shihet edhe intervista që do të zhvillohet me secilin aplikant dhe që do të vlerësohet me 15 pikë. Po ashtu, dosjet e aplikantëve të dorëzuara në zyrën e masterave do të kenë peshën e tyre specifike për t’u përzgjedhur ose jo fitues. Pas mbylljes së procedurave aplikimit, studimet Master në Fakultetin Ekonomik do të nisin pas marrjes së vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat për këto studime. Këto programe studimi realizohen me 90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 100 javë mësimore. Për çdo master të mbrojtur, lëndët do të jenë të ndryshme dhe ka nëntë lëndë, plus dy lëndë të tjera me zgjedhje të lirë nga aplikanti. Programi mësimor konsiston në 11 lëndë, ku nëntë lëndë janë të trungut, ndërsa dy lëndë janë me zgjedhje, si dhe projekti i kursit. Lëndët zhvillohen sipas semestrit. Periudha kohore e realizimit të programit varet nga numri i kurseve që aplikanti ndjek çdo semestër. Ndërsa kohëzgjatja e kursit është 2 deri në tre vjet, ku një semestër ka 12 javë.
Kriteret e pranimit
Aplikantët e programit Master pranë Ekonomikut duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në Matematikë, Statistikë, Anglisht dhe Informatikë. Ata duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:
Dëshmi të gjuhës Angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL
Diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit
Dy letra rekomandimi nga persona të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit. Të paktën njeri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore
Lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare
Taksa e aplikimit
Taksa e aplikimit dhe ajo e ndjekjes së kursit përcaktohet nga Bordi i Masterave
Testi special në shifra
100 pikë në total do të ketë testi special i pranimit
60 janë pikët maksimale që duhet të marr një kandidat
25 pikë do të jenë për mesataren që duhet të jetë mbi 8
15 pikë do të vlerësohet intervista e kandidatëve
Shtatë masterat që do ofrojë Ekonomiku për vitin 2009-2010
Gjatë vitit të ri akademik 2009-2010, Fakulteti Ekonomik i Tiranës do të ofrojë një master më shumë se një vit më parë. Për këtë vit, akademik drejtuesit e këtij fakulteti kanë vendosur të hapin edhe një Master tjetër të Nivelit të Dytë, që është ai për Financat e Ndërmarrjes dhe Kontrollin e Drejtimit. Ndërsa gjashtë programet e tjera Master, janë ato që janë ofruar edhe në vitet e mëparshme në këtë fakultet. Konkretisht shtatë titujt e Masterave pranë Ekonomikut janë:
Master i nivelit të dytë në “Administrim biznesi”
Master i nivelit të dytë në “Administrim publik”
Master i nivelit të dytë në “Financë”
Master i nivelit të dytë në “Kontabilitet”
Master i nivelit të dytë në “Marketing”
Master i nivelit të dytë në “Studime ekonomike europiane”
Master i Nivelit të Dytë në “Financat e Ndërmarrjes dhe Kontrollin e Drejtimit”
3 Tetor 2009