E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evis Mula: Aventura ime nis nga “puthja e pare”



Petrika GROSI
Evis Mula është personazhi ynë, që flet këtë javë ekskluzivisht për suplementin “Albania Weekend”. Këngëtarja 22-vjeçare tregon mbi rolin protagonist që sapo i kanë besuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, gjithashtu zbulon detaje mbi jetën në një familje artistësh, fëmijërinë, fillimet e vështira, kundërshtitë e babait ndaj pasionit të saj për muzikën, vështirësitë në skenë, momentet ku çdo artist vihet në dilemë, sidomos kur është duke eksploruar talentin dhe mundësitë e veta. Më tej biseda jonë mundohet të zbulojë një pjesë të karakterit të Evisit, mënyrën se si ajo e kalon kohën e lirë, hobet dhe arratitë e këngëtares, që i bën duke dëgjuar muzikë ose duke kënduar vetë.
Një gjë është e sigurt, duke pasur parasysh ecurinë dhe zhvillimin e saj profesional: Evisi po ecën në gjurmët e Inva Mulës.

Le të flasim pak për rolin protagonist që sapo ju kanë dhënë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Roli në “Porgi dhe Bes” është një nga përvojat e mia të para në Teatrin e Operas. Gjithashtu, është hera e parë për mua që luaj në një opera. Fillimi ishte pak i vështirë. E kam fjalën për t’u infiltruar brenda kësaj opere amerikane që përmban stilin e bluzit dhe të xhazit brenda.

Pse pikërisht tani ky angazhim?
Nuk e zgjodha unë, por ma bëri TOB-i ofertën. Mendoj se kjo kërkesë mbërriti në momentin e duhur. Sivjet jam studente në vitin e katërt dhe diplomohem. Sigurisht, çdo student do ta kishte ëndërr dhe privilegj që në moshën 22-vjeçare të debutonte në një rol kryesor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Shpesh studentët dhe këngëtarët i largohen muzikës lirike, po ju?
Nëse bëhen këto zgjidhje, arsyeja është financiare, pasi kur merresh me muzikën lirike, duhet të sakrifikosh shumë dhe nuk të mbetet kohë e lirë për t’u marrë me gjëra të tjera. Për ta bërë këtë gjë, përveç pasionit, talentit dhe përkushtimit, duhet të kesh edhe një gjendje financiare të mirë. Nuk po them se jam e pasur, por secili bën zgjedhjet e veta në bazë të ambicies dhe synimeve për të ardhmen. Opera nuk ka qenë pikësynimi në momentin që nisa studimet e kantos. Këtë e bëra më tepër për të mos mbetur një këngëtare autodidakte. Në momentin që njihesh me autorët klasikë dhe muzikën operistike si Verdi, Puçini, Belini e Donizeti, natyrisht që tundimi është i madh dhe t’i nënshtrohesh.

Dihet se opera, përveç të kënduarit, kërkon edhe plastikën, një farë aktrimi. Sa ju tërheq kjo, apo ju frikëson për momentin?
Opera është një art sintetik, në sensin që është një bashkëveprim artesh dhe gjinish. Nuk e kam provuar ende operën. Kam pasur përvoja me muzikale që nuk janë kënduar live. Sigurisht që opera është e vështirë, sepse të jesh i vërtetë dhe i besueshëm në atë që bën duhet të kalosh në shumë hallka më parë.

Çfarë të intrigon më tepër te opera për të cilën po punon?
Më intrigon kultura që mbart kjo operë, në sensin që është një popull i varfër, i cili vuan për gjërat minimale që sot ne i kemi, por, në anën tjetër, ky popull ka një zemër të madhe dhe gjen një arsye për të qenë i lumtur. Kjo gjë sot u mungon shoqërive kapitaliste, ku individualizmi dhe konkurrenca bëhen pjesë e mënyrës së jetesës dhe motiv i ekzistencës tënde, qoftë profesionalisht, ashtu edhe në jetën e përditshme.

Cili është dallimi mes skenës operistike dhe skenës së muzikës së lehtë?
Është e çuditshme që të duket sikur gjithçka nis nga e para, pavarësisht se puna që ke bërë në të kaluarën të ka ndihmuar dhe të ndihmon. Kam përshtypjen se nuk mund të bëhesh një këngëtar i mirë i muzikës lirike pa një përvojë të madhe.

Çfarë ndjesie ke kur këndon?
Tani, gjatë provave, kam ankth vetëm në mbrëmje, kur e vë kokën në jastëk dhe mendoj se si po shkon përgatitja. Për të kënduarit, pastaj, është një gjë që e bëj përditë dhe jam mësuar me të.

Çfarë të vjen ndër mend teksa këndon?
Nuk kam arritur në atë fazë që të mendoj se çfarë kam gatuar në shtëpi kur këndoj. Ndërsa kur hyj brenda personazhit, jetoj me të për aq kohë sa jam në skenë.

Po kur nuk ke një personazh dhe je thjesht duke kënduar?
Duhet ta krijosh një figurë, gjithsesi. Procesi i imagjinatës dhe i improvizimit janë dy gjërat më të rëndësishme për një interpretuese.

Çfarë bën kur të duhet të dalësh para publikut dhe të këndosh live?
Nuk e kam pasur rastin, pasi kam kënduar më tepër me CD dhe jam munduar që t’i tërheq njerëzit sa më shumë.

Po sensualiteti në skenë, ç’rol zë për Evisin?
Në momentin që je femër, sigurisht që sensualiteti është i rëndësishëm. Megjithatë, mendoj se është një gjë e lindur dhe në skenë duhet të jesh vetvetja. Kur sensualiteti dhe joshja kthehen qëllim në vetvete, kam përshtypjen se krijohet një lloj pështjellimi te të tjerët.

Sa u takon veshjeve, cilat janë të preferuarat e tua?
Në jetën e përditshme dhe në skenë ka një ndarje. Kur luan një personazh ka një kostum të caktuar, që nuk e zgjedh ti, por të tjerët, ndërkohë që kur të duhet të dalësh në skenë dhe ta zgjedhësh vetë konfigurimin, më pëlqen të shfaqem pak sportive. Bëj atë që ndiej dhe përpiqem ta reflektoj mënyrën si jam gatuar. Nëse nuk e ekzagjeroj me veshjen, do të thotë se jam natyrë e përmbajtur, serioze.

Nuk shqetësoheni se mos publiku mendon që kjo ndrojtje ka të bëjë edhe me ndonjë kompleks?
Në momentin që përfundon puberteti, aty përfundojnë edhe komplekset e tua.

Do të dilnit me një veshje transparente ose gjysmë e zhveshur në skenë?
Ndoshta, por nëse kjo nuk ka lidhje me artin, atëherë nuk shoh asnjë arsye pse duhet ta bëj.

Po për një kalendar ose revistë, a do të pozoje?
Siç thashë, nuk bëj pjesë në ato persona që sensualitetin e kanë qëllim në vetvete. Pastaj nuk më pëlqen as të bëhem modele...

Sapo the se do të pranoje të dilje edhe gjysmë e zhveshur para publikut në skenë. Si ka mundësi që heziton për të bërë fotografi?
Nuk mund të dal e të bëj një kalendar, të zhvishem për një motiv thjesht komercial. Kur ka art ndryshon puna dhe ajo që duket nuk je më ti, por vepra e artit.

Kur ke kënduar për herë të parë?
Kënga e parë për mua në publik ishte në festivalin e fëmijëve, një këngë e xhaxhait tim, Avni Mula. Këtu ishin hapat e mi të parë në fëmijëri, ndërsa në një fazë më të avancuar, kënga e parë ka qenë “Puthja e parë”, me orkestrim të Jorgo Papingjit dhe tekst të babait tim, Osman Mula. Kënga bënte fjalë për një adoleshente që prindërit e kontrollonin në telefon dhe nuk e linin të plotësonte ato ëndrrat dhe deliret e moshës.

Po ti vetë, sa e ke jetuar adoleshencën?
Vazhdoj ende të jetoj si e tillë. Në fakt, prindërit gjithmonë më kanë thënë se në ato kohë isha një fëmijë e pjekur për moshën që kisha. Edhe sot vazhdoj të jem e tillë. Mundohem të mos bëj gabime të mëdha, që nesër do të më kushtojnë.

Cilat janë këto gabime që mendon se nuk duhen bërë?
Ja, të fejohesh herët, apo të martohesh 16 vjeçe.... Këto i konsideroj gabime. Mund të ketë vajza që janë martuar herët dhe sot janë të lumtura, por në këtë profesion, nëse do që të ecësh përpara, duhet të kesh një lloj pavarësie.

Pse ju këngëtaret, vetëm po t’ju fotografojnë e pranoni një lidhje dhe thoni gjithmonë se jeni pa të dashur?
Dikush jetën intime e bën publike dhe në njëfarë mënyre bëhet faktor përmes saj. Unë nuk dua të jem objektiv i kronikave rozë. Edhe nëse do të kisha një jetë intime, nuk do të kisha dëshirë për ta bërë publike.

Meqenëse jemi në këtë pikë, a je e dashuruar tani që flasim?
Jo, nuk jam.

A të ka ndodhur që i dashuri të xhelozohet për shkak të diçkaje që duhet ta bëje për profesionin tënd?
Nuk kam pasur asnjëherë probleme të tilla, sepse nuk kam pasur jetë sentimentale.

Pse kjo zgjidhje?
Edhe e kam zgjedhur të jetë kështu, por më tepër nuk ka ardhur...

Ke kënduar gjatë verës në lokale e restorante?
Nuk mund të them se kisha një axhendë të ngjeshur, por kam marrë pjesë në disa aktivitete.

Si i shikon modifikimet e këngës popullore?
Kam kënduar përpunime të këngës popullore dhe kam vënë re se shqiptarët e duan repertorin popullor, dhe kjo është një mundësi e mirë për të depërtuar te publiku.

Kur merr një këngë, ç’rëndësi ka teksti për ty?
Nuk kam tendencën për të kritikuar, sepse çdo gjë bëhet për një bashkëpunim sa më të suksesshëm. Për këngët kam ndërhyrë shpesh teksa janë shkruar dhe mund të them se kam pasur një bashkëpunim të mirë me tim vëlla.

Ku e shikon veten në të ardhmen sa i takon muzikës?
Dua që nesër të jem një profesioniste dhe çdo gjë që marr përsipër, qoftë bluz, xhaz apo muzikë popullore, përpiqem ta realizoj siç duhet, brenda parametrave profesionalë. Sot janë të gjitha mundësitë që një këngëtar të mos mbetet amator.

Shohim paraqitjen tuaj që ndryshon nga viti në vit...
Kam dalë në skenë që e vogël dhe sigurisht që paraqitja nuk mund të rrijë statike. Përveç ndryshimeve fiziologjike, kam bërë edhe një operacion plastik në hundë. Arsyeja ishte e dyfishtë, shëndetësore dhe estetike.

Le të flasim pak për fëmijërinë. Si është të rritesh në familje artistësh?
Kam pasur qejf që në fëmijëri të merresha me muzikë dhe këtë e kam bërë të dukshme duke e kërkuar vetë. Im atë nuk ka qenë dakord fillimisht që unë të merresha me muzikë. Duke provuar veshin unë hyra në piano, por natyra ime pak dembele bëri që studimet për piano t’i kaloja në plan të dytë.

Pse nuk donte babai që të merreshit me muzikë?
Për vetë faktin se është një profesion i vështirë, në të cilin hapësirat për të depërtuar nuk të krijohen aq lehtë. Përveç talentit duhet dhe një karakter i fortë për t’i çuar gjërat deri në fund. Para këngëtares doja të bëhesha balerinë, por babai sërish ishte kundër. E konsideronte jetën e balerinit si një zanat sakrifice; dieta që duhen mbajtur gjithë kohës, palestër, disiplinë e rreptë dhe në pension del herët.

Mos ishte gjë fanatik?
Vetëm fanatik që nuk mund të quhet Osman Mula...

Duke pasur gjithë këto kundërshtime, a ishte e lehtë ta ndiqje pasionin tënd?
Babai nuk ka qenë shumë afër meje në hapat e parë. Më tepër më ka ndjekur ime më. Në një kohë më të vonë edhe im atë është bërë një shtysë për mua.

Po nga mamaja ke pasur kundërshtime apo mbështetje në rrugën e artit?
Më ka shoqëruar gjithnjë kur shkoja në mësimet e pianos apo në aktivitete të ndryshme. Megjithatë, institucioni i familjes ka funksionuar në këtë mënyrë; babai nxirrte ligjin, ajo e zbatonte.

Cilat kanë qenë lojërat e preferuara të fëmijërisë?
Pianon gjeja gjithmonë ndonjë justifikim për ta lënë. Sajoja histori dhe justifikime pa fund për t’u arratisur nga instrumenti. Isha një fëmijë që sot kam me dhjetëra shenja nëpër trup. Çdo lojë që bëja më kthente në shtëpi me ndonjë dhimbje.

Po sot, a të ndodh të kërkosh që të arratisesh?
Arratisjet sot i bëj nëpërmjet muzikës. Muzika më ndihmon të largohem nga pakënaqësitë, lodhja dhe stresi. Më pëlqen shumë të ulem në piano dhe të shkëputem nga realiteti.

Po arrati fizike, të shkosh larg, apo të mbyllesh diku e vetme?
Më pëlqen të meditoj dhe këtë e bëj shpesh mbi gjëra të ndryshme. Ndonjëherë kam nevojë edhe të qëndroj e veçuar, por janë të tjerët që nuk më lënë asnjëherë vetëm.

Cilët janë miqtë e tu më të mirë?
Miqtë e mi që i kam vërtet të mirë më kanë mbetur që nga fëmijëria. Kam besim tek ta. U bë një jetë që njihemi dhe kemi qenë pranë njëri-tjetrit në momente të mira dhe në momente delikate.

A ke pasur ndonjë ëndërr tjetër përveç muzikës?
Ndoshta mund të kisha qenë një prezantuese me kohë të plotë, ose do të më kishte pëlqyer edhe psikologjia.

Merresh me ndonjë sport?
Arratinë time fizike e bëj në palestër, por më pëlqen shumë edhe noti.

Ndërsa ke ëndrrat dhe ambiciet e tua për karrierën, a do të kishte ndonjë gjë që do të të bënte të hiqje dorë nga muzika?
Larg qoftë! Vetëm po të kisha ndonjë problem shëndetësor. Muzika është gjithçka për mua.

Synon të bëhesh një këngëtare profesioniste operistike. Të pëlqejnë më shumë rolet komike, apo ato dramatike?
Është herët të flas për këtë gjë pasi më mungon përvoja, por jam e gatshme për të provuar dhe eksploruar çdo terren. Jam në një fazë që pres të zbuloj veten.

Së fundi, çfarë do të doje të ndryshoje nga e kaluara?
Nuk është se kam pengje, pasi jam natyrë e hapur dhe mendohem mirë kur i bëj gjërat në mënyrë që pastaj të mos kem pengje. E vetmja gjë që them se mund të bëhej më mirë është kur dëgjoj ndonjë këngë timen që e kam bërë më parë.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›