E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e grevistëve, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit: Të shkarkohet rektori Shaska



Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka dalë në mbrojtje të studentëve grevistë të Vlorës dhe ka kërkuar shkarkimin e rektorit të universitetit, Tanush Shaska. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit (ZMK) i ka paraqitur MASH-it ankesat e saj kundrejt rektorit ku ka kërkuar shkarkimin e Shaskës për dëmin ekonomik, moral dhe psikologjik që i ka shkaktuar studentëve. Gjithashtu, ZMK-ja i ka kërkuar MASH-it që të plotësojë kërkesat e studentëve. Sipas ZMK-së, greva e studentëve të Drejtësisë në Vlorë është e drejtë. Nëntë studentët grevistë kanë hyrë dje në ditën e pestë të grevës së urisë, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore paraqitet tepër e rëndë. Ata kanë deklaruar se nuk do dalin nga greva deri kur t’i jepet diploma me titullin “Jurist”. Ndërkohë që edhe studentët e degës së Letërsisë kanë kërcënuar se do t’i shtohen kësaj greve urie. Studentët deklarojnë se diplomat që u janë dhënë nuk janë të vlefshme për tregun e punës.

Reagon rektori i Universitetit të Vlorës: Studentët po përdoren politikisht

Rektori i Universitetit të Vlorës, ka reaguar me tone të ashpra nga Amerika për çështjen e diplomave në këtë institucion arsimor. Tanush Shaska është shprehur se studentët e Universitetit të Vlorës po përdoren politikisht dhe ndërhyrjet në universitet po cenojnë autonominë e tij. Këtë reagim Rektori Shaska e ka bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se nuk po respektohet puna e akademikëve, pasi klane politike janë duke kërcënuar stafin e këtij universiteti. Rektori Shaska në reagimin e tij shkon më tej duke akuzuar edhe deputetin e Partisë Demokratike në Vlorë, Ardian Kollozi, si nxitës të protestave të studentëve, pasi ky i fundit iu ka premtuar edhe diploma sipas sistemit të vjetër. “Ndoshta ministri i Arsimit duhet të sqarojë se cili është roli i PD-së në urdhrat dhe vendimet që ai u dërgon universiteteve dhe sa ndikim ka deputeti Kollozi në këto vendime?”,- deklaron Shaska. Në fund të fjalës së tij Shaska, i ka bërë thirrje edhe një herë studentëve të distancohen nga politika.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›