Rimbursimi i TVSH-së, tatimet vendosin afat 30 ditor për kompanitë
Ervin KOÇI
Ligji për rimburrisimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar brenda 30 ditësh, ose në rast të kundërt fitimi i të drejtës për të mos paguar detyrimet tatimore deri në shumën e parimbursuar të kësaj takse, është mirëpritur nga biznesi. Sipas përfaqësuesve të shoqatave të biznesit "ligji për rimbursimin e TVSH-së brenda 30 ditëve i jep zgjidhje një problemi të madh të krijuar për biznesin prej vitesh dhe që krijonte një kosto të madhe, pasi ka pasur raste kur shuma e parimbursuar për një biznes shkonte deri në 1 milionë dollarë". Rimbursimi i TVSH-së ose inkuadrimi i kësaj vlere në taksat e tjera që duhet të paguajë biznesi, i jep më shumë likuiditetet biznesit, duke qenë se ai ndeshet me efektet e krizës globale financiare. Sipas bizneseve, "ky ligj realizon një element eficient në luftën kundër korrupsionit dhe nëpërmjet zbatimit të tij përjashtohet një element subjektiv që nënkuptohet është nëpunësi i administratës". Në fillim të kësaj jave Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligje fiskale, si në atë "Për TVSH" dhe "Për akcizat". Ndryshimet në ligjin për TVSH-në detyrojnë administratën tatimore të rimbursojë TVSH-në brenda një periudhe 30 ditore dhe në rast të kundërt lindjen e të drejtës biznesit për mos pagimin e detyrimeve tatimore deri në këtë shumë. Ndërkohë Kuvendi miratoi edhe rritjen e akcizave për disa mallra si kafe, cigare dhe pije alkoolike. Pas aplikimit të nivelit të ri të akcizës rritja e çmimit të cigareve përllogaritet në rreth 10 lekë për paketë. Për pijet alkoolike rritja e akcizës përllogaritet me 30-40%. Ndërkohë që për kafen rritja është 50%.
Rimbursimi i TVSH-së
Nëse biznesit i vonohet rimbursimi i TVSH-së së paguar, atëherë ai ka të drejtë të mos shlyejë asnjë taksë. Urdhri i prerë i Kryeministrit Sali Berisha, ka rritur në mënyrë të paparë normën e rimbursimit për bizneset, të cilat për vite me radhë janë përplasur nëpër dyert e tatimeve për të fituar të drejtën. Një biznesi i duhej të priste edhe një vit që të merrte mbrapsht diferencën për TVSH-në e paguar. Tani situata ka ndryshuar për faktin e frikës se mos subjekti privat nuk paguan taksat. Nga të dhënat zyrtare mësohet se vlera e rimbursimit të TVSH gjatë periudhës janar-gusht 2009, është rreth 2 miliardë lekë. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ky nivel është 60 për qind më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, Administrata Tatimore pranon se ka ende vonesa në shlyerjen e detyrimit ndaj biznesit. Sipas Tatimeve, konstatohen ende raste të vonesës për rimbursime. Megjithatë, pas analizës del se këto raste janë më shumë teknike dhe jo të qëllimshme, sikundër ndodhte më parë. Problemi i shlyerjes në kohë të rimbursimit të TVSH-së, Ministria e Financave dhe Tatimet e kanë zgjidhur në muajt e fundit, kur aprovuan ndryshimet në ligj. Sipas variantit të ri, tatimpaguesi në rastet kur gjykon që i është vonuar nga administrata me pa të drejtë, do të ndërpresë pagesën e çdolloj detyrimi tjetër në buxhetin e shtetit. Masa e re parashikon uljen drastike të barrierave administrative. Në skemën e re të rimbursimit të TVSH-së, prioritet kanë pasur subjektet private eksportuese, që janë kryesisht fasonët (industria tekstile).
Abuzimet në KESH, shkarkohet Këshilli Mbikëqyrës pas raportit të KLSH-së
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i vënë në dijeni mbi raportin përfundimtar dhe rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit rreth kontrollit të ushtruar në Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare “KESH Sh.A.”, liroi Këshillin Mbikëqyrës dhe emëroi Këshillin e ri Mbikëqyrës të shoqërisë. KLSH-ja ka konstatuar shumë shkelje dhe abuzime me ligjin dhe fondet publike në KESH-it dhe ka kërkuar masa të rrepta për Këshillin Mbikëqyrës dhe drejtues të KESH-it. Ministri Prifti kërkoi në mbledhjen e parë të organit drejtues të shoqërisë analizimin me përgjegjësi të konkluzioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe marrjen e masave të nevojshme për mbarëvajtjen e administrimit të shoqërisë. Këshilli Mbikëqyrës i sapoemëruar i shoqërisë ka në përbërje të tij personalitete të njohura të ekonomisë, energjetikës dhe akademisë. Në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi si kryetar Pjetër Demën, i cili ka një eksperiencë të gjatë në sektorin e energjisë. Dema ka ushtruar më parë detyrën e zëvendësministrit të Energjisë dhe ka qenë kryetar i Entit Rregullator të Energjisë. Anëtarë të tjerë të Këshillit të ri Mbikëqyrës janë edhe Jorgaq Kaçani, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, Zef Preçi si edhe ekspertë të tjerë të ekonomisë.
3 Tetor 2009