Banka Botërore kërkon më tepër bashkëpunim me KLSH-në
Banka Botërore i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit të rritë bashkëpunimin lidhur me kontrollet mbi projektet e financuara prej saj. Camille Nuamah, Përfaqësuese e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë dhe zyrtarë të tjerë të Bankës Botërore u takuan dje me përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të diskutuar mbi gjetjet e fundit dhe raportet e pritshme të Kontrollit për sa i përket projekteve të financuara nga BB-ja në Shqipëri. Sipas informacionit zyrtar nga BB-ja, kjo e fundit është në pritje të kopjeve të këtyre raporteve, pasi ato të jenë finalizuar nga KLSH-ja. Në këtë takim palët diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe ndërtimit të kapaciteteve, si dhe u sqaruan çështje që kanë të bëjnë me detyrimet e institucioneve publike që përfitojnë nga projektet e financuara nga BB. Gjithashtu, u ra dakord se rekomandimet pozitive të KLSH mund të ndihmojnë të forcohet zbatimi dhe efektiviteti i financimeve të donatorëve në përpjekjet e Shqipërisë për zhvillimin. "Jemi të kënaqur që KLSH-ja përpiqet të sigurojë që investimet e financuara nga BB dhe asistenca teknike në Shqipëri të vazhdojnë të përdoren siç duhen, veçanërisht edhe pas mbylljes së këtyre projekteve", theksoi Nuamah. Ajo tha se mirëpriten diskutime të tjera për ndërtimin e kapaciteteve në mbikëqyrjen financiare gjatë vizitës së ardhshme në vend të Drejtuesit Financiar Rajonal për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB.
GTZ financon politikat mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli dhe drejtoresha e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Ulrike Gantzer-Sommer nënshkruan dje në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit për "Ngritjen e Kapaciteteve në Implementimin e Strategjisë së Zhvillimit Rural". Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në Ministrinë e Bujqësisë, ministri Ruli theksoi rëndësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë që vjen në kohën e duhur dhe ka për qëllim të ndërtojë dhe fuqizojë kapacitetet administrative në dikasterin e bujqësisë. Sipas tij, ky bashkëpunim do të zhvillojë politikat e duhura për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave urbane në sfidën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, GTZ-ja angazhohet të jetë jo vetëm zbatuese por edhe bashkëfinancuese e projektit, duke kontribuar në mbështetjen e zhvillimit bujqësor në vendin tonë.
3 Tetor 2009