E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Financave sulmon Bankën Qendrore, kërkon uljen e interesave

Qëndrimet Qeveria kritikon politikën monetare të ndjekur nga Guvernatori

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se është i pakënaqur me politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, duke e akuzuar atë për ngathtësi në trajtimin e krizës dhe për veprime jokoherente në krahasim me masat e ndërmarra nga bankat e tjera qendrore në vendet e zhvilluara. Në një fjalim të mbajtur dje në një konferencë të organizuar nga Banka Botërore, Bode bëri të qartë se dëshiron interesa më të ulëta, të cilat, sipas tij, ndihmojnë në rigjallërimin e kreditimit dhe investimeve.

“Me ç’shihet zhvillimet në zonën euro kanë një dinamizëm shumë të shpejtë dhe këtë duhet ta bëjmë edhe ne, edhe banka për të qenë në të njëjtin akord dhe për të mos u kthyer në pengesë të rritjes ekonomike”, tha Bode. “Për shkak të konkurrencës ekonomike, tashmë norma e rentabilitetit të biznesit po vjen duke u zvogëluar dhe kreditimet në norma të larta të interesit, sigurisht krijon probleme”, vijoi ai.

Banka e Shqipërisë është akuzuar kohët e fundit se po përdor mjete joligjore për financimin e qeverisë me para, pasi me propozimin e Kryeministrit Sali Berisha, pranoi javën e kaluar të paguajë 30 milionë euro për blerjen e ish-hotel “Dajtit” në qendër të Tiranës. Kritikat e Bodes qenë dje në rang teorik dhe përfaqësojnë debatet e zakonshme mes politikës dhe bankës qendrore në të gjitha vendet me model të ngjashëm organizimi.

Banka e Shqipërisë e uli interesin bazë në ekonominë shqiptare nga 6.25 në 5.25 për qind, por disa ekspertë mendojnë se ulja mund të kishte qenë shumë më e madhe, duke marrë parasysh se Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale i kanë ulur në pothuajse zero interesat e tyre. Banka e Shqipërisë mendon se kjo nuk është një politikë e përshtatshme për Shqipërinë, për shkak se ulja e interesit bazë rrezikon zhvlerësimin e lekut dhe mund të sjellë inflacion të shpejtë. Qeveria është në vështirësi të konsiderueshme financiare që prej fundit të vitit të kaluar. Në rast se BSH-ja e ul interesin bazë, Ministria e Financave do të shpenzojë më pak para për interesat e borxhit publik të brendshëm.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›