E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e emigrantëve, dyndje për regjistrim në shkolla

Vali Qyrfyci

Gati mësues për orë shtesë në gjuhën shqipe, fluksi më i lartë në Tiranë, Durrës dhe Shkodër

Vali Qyrfyçi

Kriza greke, dyndje për regjistrim të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në shkollat e vendit. Mbi 40 fëmijë të familjeve të kthyera nga Greqia do të ulen për herë të parë këtë vit në bankat e shkollave të Durrësit. Prej disa ditësh, në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Durrësit vihet re një dyndje e kërkesave për konvertim të notave, njohje të klasave të kryera deri më tani dhe regjistrim në shkollat e rrethit bregdetar, po kryesisht të qytetit të Durrësit. Kriza ekonomike që ka mbërthyer fqinjin tonë jugor, Greqinë, ka detyruar mjaft familje shqiptare ti japin fund jetës në emigracion dhe të kthehen në atdhe me shpresën për më shumë mundësi për vete dhe fëmijët. Por edhe këtu shumë familje të kthyera nga emigracioni i janë nënshtruar migrimit të brendshëm. Ndiheshim të pasigurt, të pashpresë për të qëndruar ende atje dhe përfundimisht vendosëm të kthehemi. Në kushtet e humbjes së vendeve të punës dhe taksave të vendosura për rinovimin e dokumenteve u bë e pamundur të qëndronim ende atje. Këtu ndihemi më mirë dhe po shpresojmë të gjejmë punë. Jemi nga Berati, po meqë nuk ka shumë mundësi pune erdhëm në Durrës, ku po jetojmë me qira. Kemi shpresë për tu punësuar dhe tani po regjistrojmë fëmijët që të mos humbasin vitin shkollor- thotë një grua teksa qëndron në pritje të miratojë pranë Drejtorisë Arsimore konvertimin e notave të djalit.

Specialistët e arsimit thonë se ka dhe familje emigrantësh të kthyer nga Italia, por raporti me ato të kthyera nga Greqia është një me dhjetë. Gjatë këtyre ditëve në shkollat e Durrësit janë regjistruar 120 fëmijë emigrantësh, ndërkohë që interesimi për regjistrime të reja vijon. Nga përvojat e dy viteve paraardhëse, kur numri i të kthyerve ka qenë gjithsesi më i vogël, është vënë re se shumë prej fëmijëve kanë probleme serioze me gjuhën shqipe, të shqiptuarin dhe të shkruarin e saj dhe për këto raste Ministria e Arsimit ka udhëzuar që në bazë të nevojave të ngrihen dhe klasa të veçanta për mësimin e gjuhës shqipe pranë shkollave ku ka më shumë fëmijë të ardhur nga emigracioni. Nxënësit do të ndjekin orë shtesë për të kapur ritmin dhe nivelin e bashkëmoshatarëve të tyre që ndjekin shkollën. Megjithatë, organizimi i këtyre orëve do të bëhet pas nisjes së vitit shkollor dhe vlerësimit të nevojave nga mësuesit e klasave në shkollat ku janë regjistruar fëmijët e emigrantëve. Ndërkohë, specialistët e arsimit thonë se prindërit në jo pak raste janë treguar neglizhencë ndaj gjuhës amtare, duke mos ia transmetuar plotësisht fëmijëve të tyre.

 

Durrës

Gjatë këtyre ditëve në shkollat e Durrësit janë regjistruar 120 fëmijë emigrantësh, ndërkohë që interesimi për regjistrime të reja vijon

Shkodër

Një fenomen në rritje këtë vit janë regjistrimet në shkolla të fëmijëve të emigranteve të rikthyer në atdhe, ku deri më sot janë 112 regjistrime.

Tiranë

Sipas të dhënave paraprake rezulton se 8 për qind e fëmijëve të regjistruar në sistemin parashkollor të jenë fëmijë emigrantësh të riatdhesuar kohët e fundit

Fëmijët e emigrantëve, dyndje për regjistrim në shkolla burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›