E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helidon Haliti Ndezjet spontane të piktorit në cikle

Autori i Lajmit: Nga Kostandin DhamoNëse je gazetar, estet, apo një kritik i mirëfilltë arti pamor dhe, hyn në atelienë e piktorit Helidon Haliti për të vështruar një e nga një tablotë mbi mure, patjetër që në fund do të ulesh në një cep që të shkruash rrëmbyeshëm, sepse, kur arti bëhet mirë, të nxit, të frymëzon dhe të ndez emocione.
Helidon Haliti ka vite që paraqitet nëpër ekspozitat e tij vetjake me cikle të integruara tematike dhe jo me tablo të shkëputura, të përjetuara prej një përndezjeje spontane, herë për të krijuar një peizazh e një herë tjetër për të formuar një portret gjithë plastikë karakteri. Të tilla ekspozita, me një tendencë të tillë pra, për tu paraqitur me cikle, kanë hapur njëherazi edhe piktorë të tjerë shqiptarë si, për shembull Hasan Nallbani, me ciklet e tij të rrugës, kafeneve, apo najtklabeve, me lulë të vocërr migjenianë, apo me femra seksuorker, ku drita në fytyrë më shumë i zhgërryen, se sa i shfaq dhe i personalizon. Por këtë herë po flasim për Helidon Halitin dhe, që në krye pretendoj të them se, duke i ndjekur krijimet e tij hap pas hapi, konstaton me bindje se, ky artist ka gjithmonë një sens filozofik në ato ngjyrimet që të vë përballë. I angazhuar dhe në koherencë të plotë me të tëra ngjarjet politiko – shoqërore te Shqipërisë dhe, madje, edhe të botës, ai pikturon me të njëjtën logjikë të një shkrimtari që sheston me vazhdimësi kronologjike romanin e tij… Në ekspozitën e madhe vetjake, të çelur në sallën e mrekullueshme të Muzeut Mezuraj, ekspozitë, e cila nuk reshtte nga vizitorët e nderuar dhe, pati një jehonë të gjatë dhe të largët, binin në sy menjëherë punimet e ndara në cikle.
Le të përmendim, fjala vjen, pemët, pemët herë të shkrumbuara e të hirnosura nga pasojat e tmerrshme të smogut, here si shtëllunga atomike dhe, herë të tjera, të blerta dhe të njoma, si për të dhënë një shpresë e një mesazh ekologjik…
Pastaj arkeologjia e vyer, gjithë visare dhe kumbtime shekujsh e legjendave të kombit, moralin e të cilave, piktori jo më kot ia vë përballë jetës së sotme pa fisnikëri, pa ndershmëri dhe, të deheroizuar. Metafora e besës, Doruntina dhe Konstandini na shfaqet përsëri mbi një kalë gjithë xixëllima fosilesh fosforeshente, i cili trokon mbi pellgje të pambarueshëm gjaku, të derdhur dhe të mbetur aty – këtu nëpër fushat e historisë.Në këto tablo të rrugëtimit të legjendës, rrallëherë gjen akord të vijueshëm koloristik; në këto tablo më së shumti ka disonanca të ashpra dhe prerëse që të rrëqethin dhe,ai gjaku i hiperbolave poetike të duket sikur derdhet nga kornizat, të stërpik e të ngjitet aq sa nuk mund ta shqitësh…
Po përse ia sjell ndërmend përditshmëria artistit legjendën e besës? Çështë ai medium që ia lëviz penelin, e frymëzon dhe ia dikton mendimet? Ju delirantët e përdhosur të shekullit XXl, thonë tablotë e Helidonit me kodet e tyre, tunduni dhe shkunduni nga dalldia dhe, binduni se, të mbash besën për çdo gjë dhe kurdoherë, do të thotë, në fund të fundit, të mbash më këmbë të pashembura kolonat e një shteti, të mbash rend e të kesh dinjitet , progres dhe histori… Më pas në ekspozitën e çelur në Muzeun Mezuraj (pronari i të cilit, zoti Mezuraj, është mbiquajtur Mediçi nga shtypi nga që ka mbështetur dhe ka përkrahur bujarisht disa artistë të atashuar pranë institucionit të tij) qëndronin edhe disa tablo, brenda të cilave gjëndeshin disa njolla katërkëndore të zbërdhylura(po themi, nga dielli) ku vetëm në njërën prej tyre mund të shihej ndonjë portret i pikëlluar, madje tragjik, i kushedi se kujt; njollat e tjera ishin bosh, njëlloj si vendet ku shqiten nga shiu dhe era afishet e shtuara të vdekjeve, të njerëzve që as që merret vesh më se, ku jetojnë e ku punojnë, kur kanë marrë arratinë e ku kanë mërguar…
Ah, metaforë e besës, mbi kalin e fosilizuar, gjithë xixëllima, që trokon e trokon pareshtur, ndonëse këmbët të thyhen e të përthyhen…
Për Helidon Halitin është shprehur edhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare, piktorja dhe studjuesja e njohur tashmë Suzana Varvarica, si edhe eruditi Moikom Zeqo, etj dhe te të gjithë, veç të tjerash gjen një konstante: ky artist, duke mos u bindur më, duke mos e pranuar atë kompromisin, kinse në emër të zgjidhjeve dhe të pragmatizmit; duke u vendosur me konsekuencë dhe autoritet në oponencë të përherëshme ndaj politikave zyrtare dhe opinioneve të përpunuara nga media, krijoi identitetin e vet, shmangu mediokritetin dhe suksesin fals dhe, sakaq firma e tij është në çdo drithërimë të penelit të tij të animuar…
Dihet; artistët dhe gazetarët e pajtuar, jeta luksoze e të cilëve na kushton të gjithëve, vrasin më shumë sesa mjekët sharlatanë…
Por le të tregojmë ekspozitën e tij të fundit të çelur në Prishtinë, në Republikën e Kosovës.
Shqetësimi mbarëbotëror për ngrohjen globale, për zhdukjen e specieve të faunës dhe të florës, e ka shqetësuar thekshëm këtë piktor pikant, të brengosur dhe të merakosur që të paraqitet me një cikël të gjerë dhe mjaft intrigues me motive nga Barka e Noes .Mesazhi është i qartë dhe i drejtpërdrejtë : të shpëtojmë me çdo kusht botën! Janë tablo që të duket se, po ti bashkosh copa – copa, do të formohet sërish barka e Noes, që shpëtoi gjallesat. Në këtë cikël ngjyrat janë të kursyera, nuk kontrastojnë dhe, të kujtojnë, ashtu me atë murrëtirë prej balte, rrasat e stërlashta të Babilonisë, mbi të cilat është shkruar së pari rrëfenja e kataklizmës. Gati – gati të zë paniku tek kalon tablotë e këtij cikli aq sa beson se, kur të dalësh në rrugë, nuk do të gjesh më as bar dhe as jetë… Kafshët e barkës këtu i sheh të dialogojnë me njera – tjetrën që nga dritaret e ngushta si frëngji, nga ku nxjerrin kryet, a thua se komplotojnë kundër njerëzve të papërgjegjshëm. Ah, metafora e besës, që kalëron mbi fosilet fosforeshente të legjendës dhe, që një ditë do të fanitet edhe në mikroekranin e celularit si një mesazh se, atje ku ka besë, ka dinjitet, ka ligje dhe prosperitet…
Ky artist emisar nuk e shpërndan dritën në tablo me densitete të ndryshme, për të krijuar thellësi dhe perspektivë. Kësisoj, objektet janë të vendosur të gjithë në plan të parë dhe, vepra në çdo rast, i shmanget natyralzimit dhe banalitetit të riprodhimit fotografik. Ndërsa deformimet anatomike nuk janë asnjëherë qëllim në vetvete, apo një manierë estetizante; ato vijnë si një shprehje e emocioneve të forta dhe përcaktojnë psikologjinë e personazheve… Helidon Haliti ka në fondin e tij të pasur edhe shumë peizazhe në vaj dhe në akuarel, por këto tablo meritojnë një studim të veçantë dhe të hollësishëm. Sidoqoftë, në Shqipërinë e sotme të hapur dhe evropiane, pa dyshim që janë potencialisht të arritshëm për krijuesit edhe Çmimi Nobel në letërsi, edhe Palma e Artë në kinematografi, edhe të gjithë çmimet dhe vlerësimet më të larta për pikturën…

Helidon Haliti
Hap ekspozitën “Fabulous” në Prishtinë

Mund të quhet padyshim një nga piktorët më prodhimtarë të viteve të fundit. Piktor i ngjyrës dhe i temës së përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare. Është nga rastet e rralla të piktorëve shqiptarë i shfaqur fillimisht jashtë kufijve. Pastaj, në Shqipëri. Haliti sapo ka hapur ekspozitën e tij “Fabulous”, në shtetin më të ri evropian, Kosovë. 26 punime të piktorit Helidon Haliti, do të qëndrojnë për të gjithë artdashësit e Prishtinës në Muzeun e Prishtinës, Kosovë, deri më datën 28 dhjetor 2009. Punime në vaj dhe akrilik, ku ndihet natyrshëm peneli i një piktori të sigurtë në artin e tij. Artsisti ka jetuar dhe punuar një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa ka ekspozuar në galeritë e Amsterdamit “Axell Gallery” dhe “George C-ent Art Galery”. E veçanta e artistit mbeten ngjyrat e ngrohta në piktura të përmasave 110x100 dhe 100x120. Temat dhe gjetjet në kompozime janë veçantia e stilit Haliti. Duket sikur njerëzit mungojnë… Piktura të Helidon Halitit gjenden në Muzeun Mezuraj, për të cilin artisti shprehet se “Në momentin kur pikturat prekin muzeun, atëhere ato vlerësojnë veten”.

Ky lajm është publikuar: 22/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›