Fëmijët e emigrantëve shqiptare do të përfitojnë nënshtetësinë greke
Blerina Olldashi
Fëmijët e emigrantëve në Greqi do të kenë mundësinë të përfitojnë nënshtetësinë. Qeveria socialiste e Jorgos Papandreut miratoi një projektligj që u jep këtyre fëmijëve që jetojnë në Greqi të drejtën e nënshtetësisë greke si dhe të gjithë emigrantëve të drejtën e votës dhe të zgjedhjes në pushtetin vendor. Qeveria e re e socialistëve grekë të Jorgos Papandreut që në hapat e para të mandatit të saj hap një faqe të re në politikën greke ndaj emigracionit. Këshilli i Ministrave diskutoi dhe miratoi në një mbledhje të hapur një praktikë novatore dhe e mirëpritur e kabinetit të ri, projektligjin e Ministrisë së Brendshme që u njeh fëmijve të emigratëve të drejtën e përftimit të nënshtetësisë greke dhe të drejtën e votës dhe të zgjedhjes në pushtetin vendor emigrantëve me pesë vjet qëndrimi të ligjshëm në Greqi. “Si mund të shpresojmë në një të ardhme krijuese me progres dhe mirëqenie për Greqinë pa përfshirë ata që jetojnë midis nesh, kontribuojnë dhe mund të kontribuojnë me pagesën e taksave, kontributet për sigurimet shoqërore, kontributin e tyre në kulturë, fqinjësinë tonë, madje edhe në mbrojtjen tonë,” - deklaroi Papandreu, i cili integrimin e emigrantëve e cilësoi një “sfidë që Greqia nuk ka komoditetin që ta humbasë”. Sipas projektligjit, nënshtetësinë greke e përfton fëmija i huaj, njëri prej prindërve të të cilit ka qëndrim të vazhdueshëm dhe të ligjshëm 5-vjeçar në Greqi dhe prindërit bëjnë kërkesë të përbashkët regjistrimi të saj në regjistrin themeltar të bashkisë ku jetojnë. E njëjta procedurë aplikimi deri edhe tre vjet pas plotësimit të moshës 18-vjeçare parashikohet dhe për fëmijët që kanë kryer tri klasat e para të arsimit të detyruar në Greqi. Automatikisht dhe pa aplikim e përftojnë nënshtetësinë greke fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi dhe nuk mund të përftojnë nënshtetësi tjetër, ose në rastet kur njëri prej prindërve të tyre ka lindur dhe jeton në Greqi. Të gjithë të huajt që janë të martuar me bashkëshortë grekë, një kontigjent i madh ky në mesin e shqiptarëve, përfitojnë automatikisht të drejtën e nënshtetësisë, kurse të tjerët duhet të kenë 5 vjet qëndrimi të ligjshëm në 10 vitet e fundit dhe dëshmi penaliteti të bardhë. “Duam dhe ky është synimi ynë që grek të bëhet ai që dëshiron të bëhet”, - deklaroi ministri i Brendshëm Janis Ragusis, i cili sqaroi se Greqia po përmbush “me vonesë” një detyrim të sajin në kursin komunitar, që është në favor të integrimit të emigrantëve. Bashkë me nënshtetësinë ofrohet edhe e drejta e votës dhe e zgjedhjes për rreth 250.000 shqiptarë dhe të huaj të tjerë që jetojnë në Greqi, me kusht që të kenë 5 vjet qëndrimi të ligjshëm atje dhe statusin e qëndrimit afatgjatë. Të huajt mund të zgjidhen këshilltarë bashkiakë por jo edhe kryetarë bashkish. Kjo shkaktoi edhe reagimin negativ të partisë nacionaliste LAOS, sipas së cilës “po hapet dera e Cerberit për helenizmin” dhe se “popullsia po tjetërsohet”. E majta foli për “hapa të nevojshme” që nuk duhet të degradohen në “politika bamirësie”.
4 Janar 2000