E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e fundvitit, Myqerem Tafaj: “Arsimi i mesëm, pas vitit 2013 do të jetë i detyruar”

Arsimi i mesëm, pas vitit 2013 do të jetë i detyruar. Kështu ka deklaruar dje në konferencën e fundit për vitin 2009, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Kreu i Arsimit ka zbardhur në këtë ndryshimet që do të pësojë sistemi arsimor në vend. Lidhur me vendosjen e gjimnazit me detyrim për të gjithë nxënësit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u shpreh se gjatë këtyre viteve duhet të studiohen kapacitetet, si nga ambientet po ashtu dhe nga burimet njerëzore. Sipas Tafaj, për realizimin e këtij vendimi do të ndiqen dhe modelet që kanë vendet e rajonit. “Deri në vitin 2013 detyra jonë është të përgatisim kapacitetet. Pastaj do shohim si do të reagoje publiku shqiptar. A do të jetë gati publiku shqiptar që të merret ky vendim politik që nuk do të jetë një vendim i lehtë, por një vendim i rëndësishëm dhe shumë afatgjatë”,- tha Tafaj. Më tej kreu i Arsimit është ndalur edhe në ndryshimet që do të pësojë ligji “Për arsimin e lartë”, të cilat ai i ka konsideruar si tepër të rëndësishme. Tafaj ka rikonfirmuar edhe njëherë deklaratën e bëra pak kohë më parë se do të ketë një ndryshim të Ligjit të Arsimit, çka do të pasojë me një ndryshim të sistemit të diplomimit të studentëve. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi Bachelor, Master dhe Doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim Masterin e Nivelit të Dytë. Është një nivel i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë”,- deklaroi ministri i Arsimit. Në konferencën e fundit të vitit Tafaj ka bërë të ditura përciptazi dhe nisma të tjera të Ministrisë që ai drejton, ku në veçanti është dhe ajo për ndryshimet që do të bëhen në reformën e Altertekstit. Tashmë nuk do të ketë një konkurrim mes shtëpive botuese, por mes autorëve të teksteve, ku gjithçka do të jetë transparente.

Festat, Topalli shpërndan dhurata për fëmijët jetim në Vlorë

Në prag të festës së ndërrimit të viteve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vizitoi dje shtëpinë e fëmijëve jetimë “Uji i Ftohtë”, Vlorë. E gjendur mes fëmijëve të moshave të ndryshme, disa prej tyre edhe foshnja të porsalindura, Jozefina Topalli uroi që ata të rriten të mirë e të lumtur dhe të shohin dëshirat e tyre të realizohen. “Unë uroj që këta fëmijë të rriten të shëndetshëm, të lumtur dhe gjithmonë me fat të mirë”,- tha Topalli. Më tej, kryetarja e Kuvendit falënderoi stafin e shtëpisë së fëmijëve jetimë të Vlorës për punën e mrekullueshme që bëjnë, për përkujdesjen që tregojnë ndaj këtyre fëmijëve dhe për dashurinë që u falin çdo ditë. “Unë e lexoj në sytë tuaj sesi i mbani dhe kujdeseni për këta fëmijë”- pohoi kryeparlamentarja, duke vlerësuar edhe ambientin mikpritës dhe familjar të krijuar për ta. Topalli shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët e kësaj qendre.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›