E Diel, 1 Nëntor 2026

Nata e ndërrimit të viteve, spitalet vendosin mjekët që do të qëndrojnë në gatishmëri

Emanuela Sako
Spitalet në të gjithë vendin kanë përcaktuar personelin mjekësor që do të qëndrojë në gjendje gatishmërie për festën e fundvitit. Pas Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, të gjithë spitalet kanë afishuar emrat e mjekëve dhe infermierëve që do të qëndrojnë në pritje të rasteve më emergjente. Sipas burimeve nga QSUT-, urgjencat do të kenë numrin më të lartë të personelit që do të qëndrojë në pritje të rasteve urgjente që mund të shkojnë gjatë Natës së Vitit të Ri. Çdo pavijon do të ketë nga një mjek në dispozicion, ashtu si dhe personel mbështetës infermierë apo shoferë të autoambulancave. Po kështu, urgjencat do të kenë nga 2 mjek specialistë si dhe personel mbështetës.
Situata
Rreziku nga fishekzjarrët apo nga dëmtimet me automjete, kanë vënë në gjendje gatishmërie personelin shëndetësor në të gjithë vendin. Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë vendosi se të gjithë spitalet vendit, duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, për 24 orë natën e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të vitit të ri. Gjatë një takimi të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili me drejtorët e spitaleve të vendit dhe drejtorët e Shëndetit Parësor u diskutua për masat që do të merren për këto ditë. Ky vendim ka ardhur për shkak të situatës së krijuar në vend nga gripi i derrit, fluksi i emigrantëve, aksidentet automobilistike, por nisur dhe nga incidentet e shumta që ndodhin natën e ndërrimit të vitet nga fishekzjarrëve. Ministri i urdhëroi drejtorët të marrin të gjithë masat e nevojshme si nga ana materiale ashtu edhe nga stafi i mjekëve që janë përcaktuar të punojnë gjatë këtyre ditëve për të ofruar një shërbim cilësor ndaj pacientëve. Nëse nuk do të zbatohet ky urdhër nga i gjithë stafi mjekësor do të ketë penalizime si për mjekët dhe infermierët. “Mjekët nuk kanë festa zyrtare dhe as fundjava. Nëse të tjerët festojnë ne duhet të jemi në krye të detyrës” - u shpreh Vasili. Ai u shprehu gatishmërinë se do të vihet në dispozicion të spitaleve dhe materniteteve për gjithçka që do t’u nevojitet atyre.
Masat
Ministri Shëndetësisë ka përcaktuar masat që do të ndërmerren nga shërbimi spitalor gjatë ditëve të festave, ku të gjitha spitalet si rajonale edhe të kryeqytetit do të jenë në dispozicion të pacientëve për 24 orë. Ministri Vasili i ka kërkuar e drejtuesve të lartë të strukturave shëndetësore, të përcaktojnë ekipet e mjekëve e infermierëve që do të punojnë në këto ditë dhe gjithçka që do t’u nevojitet atyre për t’u ardhur në ndihmë pacientëve. Do sigurohen materialet e nevojshme mjekësore në shërbimin e urgjencës për çdo rast të paraqitur. Do të përforcohet ekipet e rojeve ku emrat e personave do të afishohen në mur ku gjithsecili të mbajë përgjegjësi për detyrën. Shërbimi spitalor telefonik do të jetë në gatishmëri gjatë gjithë kohës për çdo nevojë mjekësore që mund të kenë qytetarët. Shefat e shërbimeve kanë përcaktuar specialistët që do të jenë në gatishmëri të telefonatave të ardhura në rast se paraqitet nevoja, duke afishuar listën pranë shërbimeve përkatëse dhe të urgjencës.

Penalizimet e mjekëve që thyejnë rregulloren

Ministri ka qenë i prerë në komunikimin me drejtorët e spitaleve rajonale të vendit. Ai ka theksuar se s’do të tolerohet asnjë çorganizim dhe veçanërisht mjekët të kenë etikë komunikimi të lartë me pacientët duke mos harruar që telefonat privatë të jenë të hapur në çdo kohë. Ky urdhër ka ardhur nga eksperienca e e viteve të kaluara, ku ka pasur fluks pacientësh nëpër spitalet e vendit të dëmtuar nga djegiet e fishekzjarrëve, nga aksidentet automobilistike, nga grindjet midis personave të dehur, problemet e shfaqura nga helmimi i ushqimeve etj. Numri i të plagosurve të paraqitur vitin e kaluar në QUST ka pasur shifra të larta. Po sivjet pritet një numër më i lartë pacientësh për shkak edhe të gripit të derrit. Ndërsa për këtë vit të ri i është bërë një paraprije situatës.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›