Ndryshimet në buxhet, Seseri: U godit fshati
Axhenda politike e Partisë Socialiste ka vijuar edhe dje me akuzat ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Sekretari i grupit parlamentar të saj, Taulant Balla, ka apeluar edhe njëherë ndaj Kryeministrit Sali Berisha për një reagim zyrtar për çështjen e ngritur nga PS-ja. “Sali Berisha të kërkojmë sot t’u japësh përgjigje shqiptarëve, a je ti ortak në fitimet e Dritan Priftit dhe çfarë nënkupton heshtja jote e tejzgjatur mbi këtë skandal? I kërkojmë sot Sali Berishës t’i shpjegojë para shqiptarëve se çfarë pazari ka mbyllur me Ilir Metën një vit më parë dhe sa është vlera e këtij pazari”, ka deklaruar Balla në një prononcim mirëfilli akuzues ndaj qeverisë së drejtuar prej Sali Berishës. Ky angazhim mediatik i selisë rozë është shoqëruar me një veprim institucional nga Bashkia e Tiranës, e cila ka depozituar një padi penale për ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, me akuzën e shpifjes.
Ndërkohë duket se diskutimet e mohuara nen për nen për ndryshimet në buxhet, PS-ja po i artikulon nga selia e vet dhe dje ka qenë radha e deputetes Rudina Seseri për të adresuar kritika ndaj qeverisë. Fshati, biznesi dhe investimet kanë qenë në qendër të deklaratës për shtyp të Seserit, e cila ka deklaruar se përkundrejt shifrave zyrtare dikasteret kanë mosrealizime. “Shkurtime në buxhet janë bërë pa asnjë analizë të realizimit të investimeve nga ministritë. është e pafalshme që në 6-mujorin e parë, Ministria e Bujqësisë realizoi vetëm 6% të investimeve, Ministria e Arsimit vetëm 7% dhe Ministria e Shëndetësisë vetëm 19%. Janë pikërisht këto ministri që u goditën më shumë nga ndryshimet në buxhet. Duke u shkurtuar fondet këtyre sektorëve prioritarë, qeveria godet rëndë përsëri fshatin, bën hapa mbrapa në zhvillimin e arsimit dhe përkeqëson shërbimin shëndetësor”, tha ajo.
#