ILDKP-ja, gjobë gjyqtarit të Matit për vonesë në deklarimin e pasurisë
Gjobat e vendosura nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive për gjyqtarët në të gjithë republikën konsiderohen shkelje e rëndë nga KLD-ja. Për të “pastruar” emrin nga kjo shkelje, gjyqtari i Matit, Rexhep Karaj, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku kërkon anulimin e vendimit të ILDKP-së, pasi është marrë, sipas tij, në kundërshtim të hapur me ligjin. Padia është depozituar disa ditë më parë në sekretarinë e gjykatës, me objekt “anulim i vendimit numër 53, datë 17 qershor 2010 i ILDKP Tiranë, si i pambështetur në prova”. Pas regjistrimit të padisë është hedhur edhe shorti i cili i ka rënë gjyqtares Farije Budo. Sipas gjykatës, Karaj është gjobitur nga inspektorati për vonesë në deklarimin e pasurisë dhe si rrjedhojë ILDKP-ja i ka vënë një gjobë të majme. Duke kundërshtuar këtë vendim, Karaj i është drejtuar gjykatës, ku krahas anulimit të këtij vendimi, kërkon të “pastrojë” emrin e tij nga gjyqtarët me shkelje disiplinore në Republikën e Shqipërisë. Mësohet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i konsideron shkelje të rënda gjobat e vendosura nga inspektorati dhe, nëse gjyqtari merr edhe një vërejtje tjetër, ai rrezikon të largohet nga trupa gjyqësore. Përpos kësaj, gjyqtari Rexhep Karaj, duke pasur mbi shpinë një gjobë dhe si rrjedhojë një shkelje nga KLD-ja, nuk mund të përfitojë nga ngritja në detyrë.
#