E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e policëve të vrarë trajtim me pension suplemtar

Vendimi është miratuar sot në seancën plenare të Kuvendit, ku deputetët kanë miratuar p/ligjin "Për mënyrën e trajtimit ekonomik dhe financiar të familjeve të punonjëse të policisë, gardës, shërbimit të kontrollit të brendshëm dhe policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës".

Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi në Kuvend se, në këtë ligj është parashikuar që familjet e shtetasve apo të punonjësve të strukturave të tjera shtetërore, të cilët humbin jetën për shkak të detyrës, të përfitojnë ndihmë dhe trajtim financiar.

"është zgjeruar gama e përfitimeve dhe është marrë në mbrojtje familja në tërësinë e saj, duke ofruar një sërë përkrahjesh që nuk ishin parashikuar në ligjet e mëparshme", tha Bode. Në bazë të ligjit, fëmijët e punonjësve që kanë humbur jetën në detyrë, apo për shkak të detyrës, të përfitojnë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në çastin e humbjes së jetës, derisa secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç, dhe pas kësaj periudhe e/i veja dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar dhe suplementar.

Përfitimet që jepen në përputhje me këtë nen parashikohen të vendosen në vlerën 100 % të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon. Në bazë të ligjit, për bashkëshortin/en fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, është parashikuar të përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare në masën 200 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›