Fëmijët jetimë, Eagle Mobile, dhuron 20 bursa
Eagle Mobile ka bërë të mundur dhënien e 20 bursave për fëmijët jetimë. Ceremonia u mbajt dje në Hotel Sheraton Tirana. Për realizimin e kësaj nisme, Eagle Mobile, kërkoi dhe mbështetjen e 24 bizneseve të tjera që operojnë në fusha të ndryshme në tregun shqiptar, duke demonstruar në opinionin publik rëndësinë e kësaj pjese të komunitetit. Përveç mbështetjes për jetimët shqiptarë lidhur me mundësitë e punësimit, kompania, ka finalizuar një pjesë të rëndësishme të këtij projekti, që ka të bëjë me edukimin e 20 fëmijëve dhe të rinjve jetimë në shkolla të mesme dhe të larta. 10 prej këtyre fëmijëve do të studiojnë në kolegjet më të mira në vend, ndërsa 10 të rinj të tjerë do të ndjekin studimet e tyre në disa nga universitet private më të njohura në Shqipëri. "Këta fëmijë vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të mbajnë mbi supe histori të ndryshme të dhimbshme. Këta fëmijë që kanë një jetë të suksesshme shkollore, janë përzgjedhur nga Eagle Mobile në bashkëpunim me shoqatat më me zë dhe më serioze në vend, që veprojnë në fushën e përgjegjësisë sociale. Disa prej këtyre fëmijëve janë bijtë dhe bijat e oficerëve të policisë të vrarë në krye të detyrës, dhe Eagle Mobile ka menduar se këta njerëz duhen përkrahur. Ata do të kenë mundësi të studiojnë në shkollat më të mira, përfaqësuesit e lartë të të cilëve janë të pranishëm në këtë ceremoni, dhe unë gjej momentin për t'i falënderuar ata për përkrahjen," u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin.