Mbyllet fushata elektorale në PS, Ruçi: Anëtarësia të dalë në votime
Mbyllet fushata elektorale në Partinë Socialiste për zgjedhjen e kryetarit të saj. Dje nga selia rozë dhe Komisioni Zgjedhor i Partisë është shpërndarë e gjithë baza materiale zgjedhore, duke ia çuar komisioneve lokale. Dje paradite, në funksion të zgjedhjeve për kreun e PS-së, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, zhvilluan një takim me grupin parlamentar socialist. Mësohet se gjatë këtij takimi janë dhënë porosi për të qëndruar afër strukturave të partisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Gjithashtu u është thënë që deputetët të punojnë me kryetarët e organizatave për të nxitur anëtarësinë e PS-së të shkojë ditën e shtunë për të votuar. Sot të gjithë komisionet zgjedhore lokale do të kenë bazën materiale zgjedhore, të cilën do t’ua shpërndajnë kryetarëve të PS-së në komuna dhe bashki që do të organizojnë procesin zgjedhor. Shpërndarja e bazës materiale për zgjedhjet për kryetar të Partisë Socialiste ka nisur në të paktën 387 qendra votimi në të gjithë vendin, sipas Genc Gjonçaj, kryetar i Komisionit Zgjedhor të partisë. Sipas tij, “janë 387 qendra votimi dhe rreth 82 mijë anëtarë të PS-së që pritet të votojnë”. Të shtunën qendrat e votimit që do të hapen nga ora 08:00 deri në orën 16:00 do të presin socialistët që do të duhet të zgjedhin mes dy kandidatëve zyrtarë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, të cilët mbrëmë nga qyteti i Peshkopisë i dhanë fund fushatës elektorale të nisur në 1 shtator në 12 qarqet e vendit. Procesi zgjedhor për kreun e PS-së u hap pas ndërprerjes së mandatit të Edi Ramës pas rezultatit humbës të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku PS-ja mbeti sërish në opozitë. Por rikandidimi i tij për të rimarrë postin e kryetarit krijoi debate të shumta brenda PS-së. Pesë deputetët e grupit parlamentar socialist kanë krijuar “Lëvizjen për Mendimin Ndryshe” në PS, përmes të cilit kërkojnë ndërprerjen e bojkotit të Parlamentit nga ana e deputetëve socialistë dhe miratimin e paketës me ndryshimet statutore, që sipas tyre do të modernizojë PS-në. Blushi, Malaj dhe deputetë të tjerë i kërkuan Ramës të mos kandidonte për shkak të dështimit të projektit të tij në zgjedhjet e 28 qershorit. Madje, ata e akuzuan Ramën se po dëmton PS-në me bojkotin e Parlamentit, të cilin e imponon vetëm për të rimarrë postin e kryetarit të partisë. Por Rama është rifutur në garë duke shfrytëzuar të drejtën statutore se çdo socialist ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kjo fushatë, ndryshe nga ajo e dy viteve më parë, kur në garë ishte Edi Rama dhe Shkëlqim Meta, pati dhe një tur takimesh në formë bashkëbisedimi, ku kandidatët shpalosën pikëpamjet e tyre se si do të drejtojnë Partinë Socialiste pas 26 shtatorit. Por kjo garë është cilësuar nga disa përfaqësues të Asamblesë Kombëtare, por dhe deputetë, si një proces farsë, ku Edi Rama e ka garantuar fitoren e tij.