E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmendet” euro, në treg këmbehet mbi 135 lekë

 

Fabiola Çela

Euro ka thyer çdo rekord të shënuar më parë në kursin e këmbimit. Dje një euro këmbehej me 135.1 lekë, ndërsa në disa agjenci një euro shitej edhe me 135.9 lekë. Brenda një harku kohor të shkurtër, euro ka fituar ndjeshëm terren në kursin e këmbimit. Por zhvlerësimi i lekut ka efekte për ekonominë e vendit e mbi të gjitha për vetë konsumatorët. Shkak për mbiçmimin e euros është mungesa e saj në treg.
Efektet
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit emigrantët sollën më pak para tek të afërmit e tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, gjatë 3-mujorit të dytë të vitit "Transfertat korente neto u vlerësuan në 237 milionë euro, nga të cilat 198 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 4% nga vlera prej 207 milionë eurosh e një viti më parë. Njëkohësisht, vihet re rënie e transfertave dalëse të sektorëve të tjerë me rreth 27%". Ulja e remintancave ka ardhur si pasojë e krizës globale. Rënia e të ardhurave të emigrantëve ka pasur një efekt negativ jo vetëm tek familjet që kanë si burim kryesor remintancat por ka pasur efekte negative edhe në vetë ekonominë e vendit. Sipas ekspertëve, ekuilibrat e tregut të këmbimit janë prishur, pasi kërkesa për euro është më e madhe se oferta dhe kjo ka shkaktuar rënien e vlerës së lekut dhe mbiçmimin e monedhës evropiane. Por forcimi i monedhës evropiane ka goxha efekt te konsumatorët. Ato që preken më shumë nga forcimi i euros janë individët që kanë marrë një kredi në euro. Një tjetër efekt që pritet të japë vlerësimi i monedhës evropiane është edhe rritja e çmimeve. Kjo pasi pritet shtrenjtim i mallrave të importit dhe rrjedhimisht të çmimeve në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›