Studentët e juridikut, mësimi sërish me godinë “borxh”
Nëse viti akademik nis javët e para të tetorit, kjo nuk do të ndodhë për studentët e drejtësisë dhe shkencave sociale. Godina e fakulteteve është e dëmtuar dhe rrezikon shembjen. Ndonëse problemi është bërë prezent që nëntorin e kaluar, asnjë ndërhyrje nuk është bërë në këto ambiente. Kushtet vijojnë të jenë të njëjta. Drejtuesit e Fakultetit të Drejtësisë kanë dërguar ditët e fundit një peticion në Ministrinë e Arsimit në kërkim të një zgjidhje. Nga sa pohojnë burime nga dekanati ende nuk është marrë asnjë përgjigje, por gjasat janë të shumta që edhe këtë vit studentët të zhvillojnë leksione në ambiente "borxh". Përfaqësuesit e tyre sqarojnë se nuk do të ulen këtë vit në sallat e kinoklubit pranë qytetit studenti, pasi ato janë të papërshtatshme për mësim. "Ministria e Arsimit na i vuri në dispozicion ambientet për një kohë të shkurtër, duke premtuar se do të vlerësoheshin kushtet e godinës dhe do të gjendej një zgjidhje definitive për ne. Nuk do pranojmë këtë vit të bëjmë leksione e seminare në salla që s'kanë lidhje me auditorët", shprehen studentët. Prej më shumë se 10 muajsh godina e Fakultetit të Drejtësisë dhe e Shkencave Sociale ka pësuar plasaritje në katet e para të saj. Pasi u njohën me situatën dekani vendosi të pezullojë mësimin në këto ambiente që sipas tij, përbëjnë rrezik për jetën e studentëve dhe pedagogëve. Madje studentët organizuan disa protesta radhazi përpara Ministrisë së Arsimit. Tashmë aktiviteti në këtë godinë është i kufizuar. Duket se fillimi i vitit akademik me shumë mundësi mund t'i gjejë studentët e Drejtësisë të zhvendosur për të bërë leksion në godinën e shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi". Kjo pasi në godinën aktuale nuk është bërë asnjë ndërhyrje. I mbetet Ministrisë së Arsimit t'i japë një zgjidhje përfundimtare mijëra studentëve, të cilët paguajnë çdo vit tarifën e studimit. Kjo tarifë që shkon në buxhetin e shtetit dhe vetë universiteteve është mëse e mjaftueshme për të bërë ndryshime rrënjësore në infrastrukturë.