E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Shqiptarët, të drejtë të djegin flamurin maqedonas

 

Blendi Fevziu

Anëtari i kryesisë socialiste Pandeli Majko i ftuar në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, në "Tv Klan", tha dje se PS i ka humbur zgjedhjet dhe arsyet e kësaj humbjeje janë të shumta, që lidhen dhe me gabimet e vetë PS-së. I pyetur rreth përmbajtjes së Enciklopedisë maqedonase, Majko tha se politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet të kishin djegur në mes të Shkupit flamurin maqedonas në shenjë proteste ndaj Enciklopedisë.
A i ka humbur PS zgjedhjet?
Jemi në opozitë dhe i kemi humbur zgjedhjet. Ne kemi kërkuar një dialog normal që ne e konsiderojmë politik. Kemi një mosakordim total në lidhje me procesin zgjedhor si është zhvilluar.
Ku bëhet dialogu politik?
Bëhet në parlament dhe jashtë Parlamentit. Jemi në kushtet kur në vendin tona kanë ndodhur shumë gjëra dhe futja në parlament do të ishte një formalitet. Parlamenti është vendi ku ndodh dialogu politik. Por anëtarësimi në NATO nuk është kulla, që duhet të mbulojë gjithçka. Në parlamentin e kaluar kryeministri nuk i është përgjigjur kërkesave të opozitës për interpelanca. Ajo që ne kemi kërkuar nuk është një bojkot nazeli, për të fituar më shumë në sy të njerëzve. Kushtet tona nuk janë në hava, por janë konkrete.
Ne nuk do hyjmë në Parlament për të thënë se po hyjmë dhe se nuk ka ndodhur asgjë. Ftesa për dialog është pozitive, por kjo ftesë duhet të shoqërohet me plotësimin e kushteve tona.
Ku do të zhvillohet ky dialog në hotel "Rogner"?
Në hotel "Rogner" janë zgjidhur dhe shumë probleme të tjera. Nuk hyjmë në Parlament nëse nuk zhvillohet dialog me PD-në. Në dokumentet e OSBE-ODIHR thuhet se në 22 qendra numërimi nga 66, votat janë numëruar keq ose shumë keq. Ne kemi dyshime dhe prandaj kërkojmë të hapim kutitë me komision hetimor, me ligj të posaçëm.
Pse me ligj të posaçëm?
Sepse në 2005 ne kërkuam komisionin hetimor për zgjedhjet, kërkesa na u hodh poshtë me shumicë kartonash.
PS pati të drejtën të ankimonte në Kolegj Zgjedhor dhe ai mori një vendim. Ju kërkoni të dilni mbi Kolegjin zgjedhor?
Ne nuk kërkojmë të hedhim poshtë vendimin e kolegjit Zgjedhor. Ne nuk kërkojmë një deputet më tepër. Ne kemi njohur dhe pranuar rezultatin, por legjitimiteti i Parlamentit është i cunguar për shkak të këtyre dyshimeve që kemi.
Përse i humbi PS zgjedhjet?
Mendoj se shkaqet janë të natyrave të ndryshme. Ne zhvilluam një kongres për këtë çështje. Ajo që po ndodh sot në PS nuk ka të bëjë me "Pse"-në. Po vlerësojmë me seriozitet maksimal për ato që quhen gabimet tona, por dhe ato që ka bërë Sali Berisha me zgjedhjet.
E kujt është përgjegjësia?
PS ka humbur për disa arsye. Në asnjë rast nuk mund ta them se ne nuk kishim gabime. Por ne u morëm më shumë me parandalimin e asaj që po ndodhte në vend. Mbase ka pasur ndonjë teprim me angazhimin e elementëve të rinj dhe gjatë debateve televizive nuk kemi pasur atë rezultat që prisnim. Një pjesë të debateve i kam konsideruar të humbura, ku përballë kanë pasur elitën më të mirë profesionale të PD-së.
Ka rezultuar fatale mosbashkëpunimi me LSI në këto zgjedhje?
Unë kam qenë partizan i bashkëpunimit me LSI, por një pjesë e rrethanave e ka bërë të pamundur këtë bashkëpunim.
Ka pasur zëra për bashkëpunimin me LSI?
Marrëdhënia e LSI me PS ka një marrëdhënie të ndërlikuar dhe nuk është e lehtë të ndash ku fillojnë marrëdhëniet personale të liderëve dhe ato të partisë. Por hyrjen e saj në qeveri unë nuk e kam konsideruar si tradhti, sepse është marrë nga politikanë profesionistë dhe koston e mban vetë kjo parti.
Ju ka zhgënjyer Meta në këtë vendim?
Kam qenë ndër njerëzit që nuk e besoja kurrë se ai do të ishte në krah të Berishës. Përgjigjja ime dihet. Kam kontaktuar me të. Kontaktet kanë qenë normale.
A shihni përgjegjësi tek Rama për këtë humbje?
Edhe Rama ka përgjegjësi.
A ka një paralele mes humbjes së Nanos dhe atij të Ramës?
Jo, me humbjen e Nanos, ne kemi një mbyllje të një cikli qeverisjeje. Tani kemi një cikël të sapofilluar nga PS. Fatosi dhe PS e kuptoi se u mbyll një cikël dhe duhej hapur një cikël i ri.
Mund të kemi një ndarje të PS-së?
Aktualisht ne kemi një debat të gjatë brenda PS. Në disa drejtime debati është futur më thellë se ç'duhet, por nuk e besoj se do të kemi një ndarje të mëtejshme të PS.
Si i komentoni vlerësimet e Enciklopedisë së re maqedonase e cila i cilëson shqiptarët si ardhacakë, që kanë zaptuar trojet e maqedonasve?
Ajo që më çudit mua është që shteti shqiptar, qeveria shqiptare, në mënyrën zyrtare dhe jo në korridoret e Nju Jorkut, të thërrasë ambasadorin maqedonas dhe t'i bëjë një notë proteste, ajo që më çudit është që klasa politike shqiptare në Maqedoni e kanë mendjen akoma se si të nxjerrin kunja me njëri-tjetrin, sepse në një vend normal që e kuptojnë se ç'është buka dhe nderi, kanë të drejtën e Zotit të djegin flamurin maqedonas në mes të Shkupit, kanë të drejtën e Zotit me atë që u ka bërë Akademia e Shkencave.
Nuk është kjo shumë radikale zoti Majko?
Presidenti dhe Kryeministri i Maqedonisë duhet të kërkojnë falje zyrtare shqiptarëve. Enciklopedia nuk mund të jetë një libër që mund të bëhen gabime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›