E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët në Tiranë, më të rrezikuarit nga ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit nga pluhuri në një pjesë të madhe të qyteteve të vendit mbetet sërish në shifra alarmante, edhe pse premtimet për ajër më të pastër për shqiptarët vijnë cdo ditë me doza të larta, sikurse edhe niveli i ndotësve. Kryeqyteti vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit edhe nga matjet e ditëve të fundit. Rreth 2,5 herë mbi normën e lejuar është ndotja nga grimcat e pluhurit në Tirane. Fëmijët janë kontingjenti më i rrezikuar nga ndotja e ajrit në kryeqytet. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), kryeqyteti është më i ndoturi nga të gjitha rrethet e tjera të vendit dhe detyrimisht në Tiranë ka më tepër persona që vuajnë nga mushkëritë. Por këtë vit, ndryshe nga studimet e tjera, ka rezultuar se më të prekurat janë mushkëritë e fëmijëve të vegjël. Specialistët e ISHP-së kanë specifikuar katër sëmundje që u shkaktohen fëmijëve nga efektet negative të mjedisit të ndotur, që janë: sëmundjet respiratore të fëmijëve (astma, alergjia); çrregullime të zhvillimit mendor; tumore fëminore si dhe çrregullime endokrine. Ndërkohë që, probleme të tilla shkaktohen edhe nga pirja e duhanit në ambiente me fëmijë, si në shtëpi, lokale etj. Specialistët bëjnë të ditur se prindërit duhet t'i shmangin fëmijët nga ambientet publike, ku konsumohet duhani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›