E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare, garanci biznesit kinez për lehtësira të mëtejshme

Qeveria shqiptare ka dhënë garancinë Kinës për krijimin e mundësive të një zone të lirë për biznesin kinez. Nga ana tjetër, qeveria kineze do të inkurajojë kompanitë më të mëdha kineze që të investojnë në Shqipëri. Në një takim të zhvilluar mes kryeministrit Berisha dhe Asamblesë Popullore të Kinës, kryesuar nga Lu Zhonghe janë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat janë në një nivel të shkëlqyer. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme, që Kina i ka dhënë dhe vazhdon ti japë zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë. Gjithashtu, duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik të dy vendeve, kryeministri Berisha theksoi se pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend i vogël, ajo ka një potencial mjaft të madh në fusha të ndryshme. Qeveria shqiptare do të inkurajojë dhe do të mbështesë investimet e kompanive kineze në Shqipëri, në mënyrë që ato të jenë të suksesshme, veçanërisht në infrastrukturë, në porte në energjetikë, në shfrytëzimin e pasurive minerare etj, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare. Të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në kulturë dhe në arsim. Kryeministri Berisha siguroi përfaqësuesin e delegacionit, Lu Zhonghe, për mbështetjen ndaj investimeve kineze në Shqipëri, si dhe ftoi ekspertët kinezë që të kontribuonin me eksperiencën e tyre të jashtëzakonshme dhe të suksesshme në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë. Ndërsa nga ana e tij, nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Asamblesë Popullore të Kinës, Lu Zhonghe e cilësoi këtë vizitë në Shqipëri, si një kontribut shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit bilateral në kuadër të veprimtarive përkujtimore në 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai u shpreh se qeveria kineze ndiqte me interes dhe me admirim, ecurinë me ritme të jashtëzakonshme të reformave ekonomike të Shqipërisë, si dhe vlerësoi si të admirueshme hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të përballuar efektet e krizës ekonomike që ka përfshirë botën. Kina vlerëson dhe mirëkupton përpjekjet dhe rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Qeveria kineze do të inkurajojë kompanitë më të mëdha kineze që të investojnë në Shqipëri dhe se shfrytëzimi i potencialeve të Shqipërisë ka ngjallur një interes të madh tek sipërmarrësit kinezë, veçanërisht në ndërtimin e porteve, në shfrytëzimin e mineraleve, në infrastrukturë, në energjetikë etj, nënvizoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›