E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët, në kujdestari kur si mbajnë dot prindërit

Përkujdesje në një ambient familjar dhe jo braktisje në jetimore. Ky shans për të pasur një jetë normale e me më pak trauma do t’u jepet të gjithë fëmijëve, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen për ta. 

Vetëm dy ditë më parë është miratuar Dokumenti i Kujdestarisë për fëmijët në nevojë. Ky shërbim mund të zgjasë vetëm një vit, por ndërkaq mund t’i ofrohet fëmijës edhe deri sa të arrijë moshën e pjekurisë. Grupet që do të përfitojnë janë fëmijët në situatë kritike ekonomike dhe shoqërore, që u mohohen apo nuk u respektohen të drejtat, fëmijët e familjeve më të varfra, të cilët jetojnë me ndihmë ekonomike, fëmijët që u mungon kujdesi prindëror, fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, pjesë e kësaj forme të re të përkujdesjes do të bëhen edhe fëmijët që detyrohen të punojnë, fëmijët e trafikuar dhe që kanë migruar, fëmijët e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, fëmijët romë dhe egjyptianë, fëmijët e paregjistruar në lindje. Shërbimi i kujdestarisë do të implementohet në dy rajone të vendit, Tiranë dhe Shkodër, për të vazhduar më tej me instalimin e shërbimit të kujdestarisë në gjithë vendin. “Vendosja në familje që i mirëpresin këta fëmijë dhe kanë dëshirë të jetojnë me ta, për aq kohë sa familjet dhe prindërit e tyre të zgjidhin problemet është e përshtatshme dhe ndihmon për t’iu rikthyer fëmijëve atmosferën e jetesës në një familje normale”, sqaron Ministria e Punës. Sipas specialistëve të këtij dikasteri kjo është ndër pikat më të forta të nismës që po vihet në zbatim. “Kështu, këta fëmijë do t’i shmangen institucionalizimit dhe do të riintegrohen në jetën familjare, nëpërmjet shërbimit të kujdestarisë duke ndjekur hapat e kësaj strategjie”, sqaron ministria. Do të jetë gjykata që do të vendosë për kujdestarinë e fëmijës, për sistemimin e tij në një institucion të përkujdesjes apo në një familje alternative, me qëllim që t’i ofrohet një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale. “Shërbimi i kujdestarisë ofron sistemimin e fëmijës në familje kujdestare, sipas specifikës dhe nevojës së rastit në periudha: Afatshkurtër, jo më të gjatë se 12 muaj dhe  afatgjatë, që parashikon nga 12 muaj deri kur fëmija arrin moshën e pjekurisë”, shprehen specialistët. Po ashtu, dokumenti i ri  përcakton edhe kushte dhe kriteret për përzgjedhjen e prindërve kujdestarë/familjes kujdestare. Ky proces kalon në disa faza, të cilat synojnë gjetjen e një familje të përshtatshme në interesin më të mirë të fëmijës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›