Rektori: S’tërhiqem për “Ismail Qemalin”
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Rektori i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, Tanush Shaska është tërhequr nga vendimi për të dhënë dorëheqjen.
Ai konfirmon se do të jetë në krye të detyrës deri sa të përfundojë mandati, duke siguruar se ka plane ambicioze për universitetin dhe Vlorën, disa prej të cilave sipas tij, kanë nisur të realizohen. Deklarata e Shaska, drejtuar miqve, mediave, por edhe të afërmve të familjes së Ismail Qemalit bëhet që nga SHBA, ku ai ka nisur pushimet bashkë me familjen e tij. Në këtë letër, rektori i universitetit sqaron pozicionin e tij për propozimin dhe vendimin e senatit të universitetit për t’i hequr emrin “Ismail Qemali”. Sipas tij, propozimi është bërë për shkaqe akademike pa marrë parasysh anët e tjera historike e shoqërore. Madje, ai u konfirmon kolegëve të tij, se atë që kanë nisur do ta çojnë deri në fund, duke lënë të nënkuptuar se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga propozimi i tij për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. Por gjithsesi, në letrën e hapur, rektori Shaska kërkon falje, si bashkëqytetarëve të tij që janë prekur nga ky propozim, ashtu edhe familjes së Ismail Qemalit. Ai shkruan se Ismail Qemali është idhulli i tij për patriotizmin dhe kontributin e tij për Vlorën e Shqipërinë. “Unë së pari duhet t’u kërkoj të falur bashkëqytetarëve të mi dhe gjithë atyre shqiptarëve, që janë ofenduar nga ky propozim. Ismail Qemali është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë dhe idhulli im për patriotizmin dhe kontributin e tij për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Ju garantoj se në asnjë rast, as unë dhe asnjë anëtar i senatit nuk kanë pasur si synim të cenojnë figurën e Ismail Qemalit. Dua t’i kërkoj falje familjes së Ismail Qemalit për çdo dhimbje e shqetësim që mund të ketë shkaktuar ky propozim. Familjet tona kanë pasur lidhje të hershme, që janë ruajtur deri vonë”, shprehet në letër Shaska. Më pas, ai siguron kolegët e tij se nuk do ta japë dorëheqjen, ndonëse ishte lëkundur për të ndërmarrë një veprim të tillë. “Kam marrë dhjetëra e-malile prej jush dhe prej shumë të tjerëve nëpër botë, që më kanë nxitur të mos tërhiqem, që atë që kemi nisur ta çojmë përpara”, shkruan ai. Në letrën e rektorit Shaska nuk kanë munguar as notat e cinizmit për ata, që u deklaruan kundër vendimit të senatit. “Për të gjithë ata që hiqen si më patriotë se unë, po ju bëj vetëm një sfidë: të bëjnë dhe ata ato sakrifica që po bëj unë! Këta njerëz kudo që janë, në Tiranë, Bari, New York, Londër, Paris e gjetkë le të lënë familjet, të pranojnë një rrogë të re më pak se 10 për qind e të parës dhe të vijnë në universitetin tonë. Vetëm atëherë ata kanë të drejtë morale të vënë në dyshim propozimin tim dhe dashurinë time për Vlorën”, shprehet më tej Shaska, duke vënë në dukje faktin se, pikërisht dashuria që ai ka për Vlorën ka bërë që ai të lërë në Amerikë gruan dhe fëmijët e tij, për të ardhur në Shqipëri, që të bëjë diçka për Vlorën.
Ismail Kadare
Ky veprim i senatit të Universitetit të Vlorës lidhet me një fushatë gjysmë të fshehur dhe gjysmë të hapur kundër Skënderbeut, Ismail Qemalit, madje edhe ndaj Nënë Terezës. Ka qenë një gjë e papritur, por edhe e pritur. Nuk është aq e pafajshme dhe mendjelehtë sa mund të duket në vështrim të parë. Ka vite që në Shqipëri ka një fushatë tinzare kundër Ismail Qemalit. Ashtu sikurse ka një fushatë gjysmë të hapur, gjysmë të fshehtë kundër Skënderbeut. Ashtu sikurse ka një të tillë kundër Nënë Terezës,
Sabri Godo
“Më duket një gjë e papranueshme. Në historinë tonë mbahen mend disa figura qendrore, Pirro i Epirit në lashtësi, Skënderbeu në mesjetë, Ali Pashë Tepelena në kohët e reja. Kurse në kohën tonë themi se është Ismail Qemali si themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali qëndron krahas figurave të tjera, krahas frashërllinjve dhe figurave të tjera. Ai është shquar për aktin e madh të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Them që cilido institucion, që do mbante emrin e Ismail Qemalit do quhej i nderuar
Dritëro Agolli
Në Shqipëri ditë për ditë, ndodhin çudira. Një nga këto është edhe vendimi për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga universiteti. Mbase po përgatiten për t’i vënë ndonjë emër tjetër. Mendoj se pasi ta quajnë në fillim: “Universiteti i Vlorës”, do i gjejnë një emër tjetër të çuditshëm, që t’ia venë. Por them se Vlora vetë, do të reagojë për këtë vendim. Sepse ku ta gjesh një universitet të quhet me emrin e njeriut më të famshëm, i cili ngriti flamurin e pavarësisë dhe u bë simboli i gjithë trevave të Shqipërisë.
Letra e hapur e rektorit
Të nderuar koleg! Doja t’ju bëja të ditur se gjatë ditëve të fundit, duke u nisur thjesht nga arsye akademike dhe duke mos pasur parasysh anët e tjera historike dhe shoqërore, i propozova senatit ndryshimin e emrit nga universiteti “Ismail Qemali i Vlorës”, në Universiteti i Vlorës. Kjo duket se është kthyer në një problem kryesor i mediave të ditëve të fundit dhe ka shkaktuar mjaft reagime nga opinioni publik mbarëkombëtar. Unë së pari duhet t’u kërkoj të falur bashkëqytetarëve të mi dhe gjithë atyre shqiptarëve që janë ofenduar nga ky propozim. Ismail Qemali është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë dhe idhulli im për patriotizmin dhe kontributin e tij për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Unë ju garantoj se në asnjë rast, as unë dhe as një anëtar i senatit nuk ka pasur si synim të cenojë figurën e Ismail Qemalit. Dua t’i kërkoj gjithashtu falje familjes së Ismail Qemalit për çdo dhimbje e shqetësim që mund të ketë shkaktuar ky propozim. Familjet tona kanë pasur lidhje të hershme që janë ruajtur deri vonë.
Duke qenë se patriotizmi dhe dashuria për Shqipërinë kanë qenë të vetmet konstante në jetën time plot rrëmujë, unë jam vrarë thellë në zemër që shumë njerëz kanë vënë në dyshim patriotizmin tim dhe qëllimet e mia të këtij propozimi. Ishte dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë ajo që më kanë shtyrë të lë gruan dhe katër fëmijët në Amerikë dhe të kthehem në Shqipëri për të bërë diçka konkrete për Vlorën dhe universitetin e saj. Planet e mia për Vlorën dhe universitetin janë tepër ambicioze dhe disa prej tyre kanë filluar të realizohen. Ne synojmë pikat më të larta të shkencës botërore për universitetit tonë. Për të qenë i sinqertë, dua t’ju them se gjatë këtyre ditëve më ka shkuar disa herë mëndja për të dhënë dorëheqje. Kjo për vet faktin se akuzat dhe shpifjet në adresën time kanë qenë mjaft banale të ashpra, dhe të pa drejta. Gjithashtu kamë marrë me dhjetëra e-maile prej jush dhe prej shumë të tjerëve nëpër botë që më kanë nxitur të mos tërhiqem, që atë që kemi nisur ta çojmë përpara. Unë kam vendosur që atë betejë të nisur 6 muaj më parë ta çojmë deri në fund. Unë do të jem rektori juaj deri në fund të mandatit. Për të gjithë ata që hiqen si më patriotë se unë po ju bëj vetëm një sfidë: Të bëjnë dhe ata ato sakrifica që po bëj unë. Këta njerëz kudo që janë Tiranë, Bari, New York, Londër, Paris e gjetkë le të lënë familjet, të pranojnë një rrogë të re më pak se 10% e të parës dhe të vijnë në universitetin tonë. Vetëm atëherë ata kanë të drejtë morale të vënë në dyshim propozimin tim dhe dashurinë time për Vlorën. Unë nuk do
të komunikoj me mediat deri në datën 10 gusht,
pasi vërtet kam nevojë për pushime. Shpresoj
që dhe media të më mirëkuptojë dhe të më
lërë të qetë.