E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazarat, zbulohen autorët e sulmit

Identifikohen personat që qëlluan me armë gjatë ndërhyrjes së policisë në Lazarat, mëngjesin e tri ditëve më parë. 

Organet e rendit kanë mundur të mësojnë emrat e dy personave, të cilët qëlluan me armë në kohën që forcat e RENEA-s, FNSH-së dhe policia lokale e Gjirokastrës, po korrnin 19 parcela të mbjella me kanabis në Lazarat. Dy autorët e të shtënave me armë zjarri, janë dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Gjirokastrës. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, duke iu referuar artikullit të publikuar dje në gazetën “Panorama”, ka sqaruar se efektivat e forcave speciale nuk kanë pasur konfrontime me banorët ndërsa këta të fundit nuk kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit. Ky reagim i policisë vjen përballë dëshmisë së efektivave pjesëmarrëse në aksionin e fundit antikanabis në Lazarat, i cili theksoi se, personat që kishin qëlluar me armë kishin tentuar pozicionet ku ishin vendqëndrimet e policisë. Edhe dëshmia e efektivit pjesëmarrës në operacion, ashtu si artikulli i djeshëm në gazetën “Panorama”, sqaronin se forcat e rendit nuk kanë pasur asnjë dëmtim nga të shtënat me armë gjatë ndërhyrjes në Lazarat, dhe veç kësaj uniformat blu nuk ishin konfrontuar dhe nuk ishin kundërpërgjigjur në asnjë moment. Megjithatë policia bëri sqarimin e saj duke shtuar se, “në momentin e mbërritjes së forcave të rendit në Lazarat, kryefamiljarët janë larguar nga banesat e tyre, si dhe në parcelat përreth ku nuk është gjetur asnjë person”.
Operacioni
Mëngjesin e tri ditëve më parë, rreth orës 04:00, në një aksion të paralajmëruar, çka duket se u dha kohë banorëve të largohen nga shtëpitë, forca të shumta policie hynë në Lazarat. Efektivat e repartit RENEA, FNSH 712 dhe policia lokale bënë kontrolle dhe identifikuan 19 parcela me rrënjë të bimës narkotike, kanabis sativa, e cila u asgjësua me djegie brenda në fshat. Vetëm pak orë pas përfundimit të operacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bëri me dije rezultatet e arritura. “Më 31 korrik 2008, në orën 04.00 të mëngjesit, policia ka zhvilluar operacionin e koduar “Era e malit” në fshatin Lazarat. Si rezultat i këtij operacioni, u evidentuan 19 parcela me bimë narkotike, në oborret e shtëpive dhe në territoret përreth tyre. Janë evidentuar 8105 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 220 centimetra të larta”, citohet në njoftimin e policisë, ku shtohet se, “nuk pati konfrontime të banorëve me policinë, si rezultat operacioni ka vijuar normalisht”. Por vetëm dje policia bëri publike deklaratën e saj ku thuhet se, “dy persona, të identifikuar tashmë nga policia, kanë qëlluar me armë në ajër dhe jo në drejtim të punonjësve të policisë”. Në njoftimin e parë lidhur me aksionin në Lazarat, policia nuk kishte bërë të ditur asgjë rreth faktit se operacioni është përcjellë me të shtëna armësh nga banorët e zonës.                                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›