Fëmijët në protestë: Na dëgjoni edhe ne
"Na dëgjoni edhe ne"! Nën këtë moto, fëmijët durrsakë kanë kërkuar mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre në Ditën e Konventës së të Drejtave të Fëmijëve. Mungesa e një këndi lojërash në qytet, ndërtimi i parkut energjetik dhe ndotja e ambientit, dhuna fizike dhe verbale që ushtrohet brenda godinave shkollore, kërkesat e shumta për shlyerje pagesash nga nxënësit në institucionet e edukimit, kushtet jo të mira në to dhe efikasiteti i munguar i investimeve në shkolla; nevoja për një qendër rinore, si dhe klube rinore, ishin disa nga kërkesat dhe shqetësimet e ngritura nga fëmijët në këtë ditë, ndërsa u kërkuan pushtetarëve dhe deputetëve të angazhohen realisht për zgjidhjen e tyre, "për një të tashme dhe të nesërme më të mirë për të gjithë fëmijët". Aktivitetet e organizuara në këtë ditë nga Aleanca për Fëmijë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë bashkisë, kanë nisur me një manifestim të fëmijëve për t‘u kurorëzuar në sallën e Këshillit Bashkiak, ku përballë fëmijëve dhe shqetësimeve të tyre janë vendosur kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, deputetët e qytetit të Durrësit, Gazmend Oketa dhe Ferdinand Xhaferri, prefekti i qarkut Klodjan Pajuni, kryetari i Këshillit të Qarkut Seid Kërtusha, kryetari i Këshillit Bashkiak Zamir Ramadani etj. Fëmijë të strukturave fëminore, përfaqësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe nxënës të shkollave "Bedrie Bebeziqi" dhe "Shaqe Mazreku", kanë ushtruar ditën e enjte të drejtën e tyre për të manifestuar me pankarta në duar në kërkim të të drejtave dhe për të tërhequr vëmendjen e komunitetit dhe institucioneve të drejtësisë dhe pushtetit vendor për mbrojtjen e respektimin e të drejtave të përcaktuara në konventë. Manifestimi është zhvilluar në bulevardin kryesor dhe qendrën administrative të qytetit. Ndalesa e parë e fëmijëve manifestues ka qenë godina e Gjykatës së Faktit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për të vazhduar më tej me ndalesat para godinës së Prefekturës dhe Këshillit të Qarkut, duke mbyllur manifestimin para bashkisë. Në sallën e Këshillit Bashkiak ata zunë vendet e vendimmarrësve lokalë dhe drejtuan takimin, duke vënë dhe para përgjegjësisë pushtetarët lokalë për premtime të dhëna dhe të pambajtura. Ata ngritën probleme të rëndësishme dhe kërkuan vëmendje e zgjidhje nga të rriturit me pushtet. Kryebashkiaku Vangjush Dako u tha fëmijëve-këshilltarë se kërkesa e tyre për një qendër rinore në Durrës do të bëhet shumë shpejt realitet. Më 20 nëntor 1989, Bashkësia Ndërkombëtare bëri një hap të madh përpara drejt njohjes dhe plotësimit të të drejtave të fëmijëve në mbarë botën, përfshirë të drejtën e mbijetesës, mbrojtjes dhe zhvillimit. "Mënyra sesi një shoqëri i trajton fëmijët, pasqyron nivelin kulturor të vetë shoqërisë, dashurinë, drejtësinë e saj, por edhe të tashmen e të ardhmen e saj. Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të të miturve reflekton padyshim dëshirën e shoqërisë për të lartësuar brezat që vijnë dhe përmirësuar cilësinë e jetës, larg dhunës, varfërisë ekstreme që sjell kequshqyerjen, edukimin e cunguar/mangët, rritjen e fëmijëve që nesër do të jenë dhunues dhe ashtu si prindërit e tyre neglizhentë ndaj nevojave të fëmijëve të tyre, duke përsëritur realitetet dhe penguar zhvillimin. Ne jemi këtu për t‘ju thënë ‘NA DEGJONI EDHE NE!‘, problemet, nevojat tona", tha nxënësja Herda Xhaferraj, moderatorja e takimit-forum, duke përfunduar se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve është një përgjegjësi e përbashkët kolektive.