E Diel, 1 Nëntor 2026

Tuberkulozi, shifrat në rritje

Situata epidemiologjike e tuberkulozit, reforma shëndetësore, ndryshimi i misionit të spitalit të mushkërive, "Shefqet Ndroqi", bëjnë të domosdoshme rishikimin e strategjisë kombëtare për kontrollin e tuberkulozit. Hartimi i strategjisë kombëtare të kësaj sëmundjeje është prezantuar dje në prani të një grupi specialistësh dhe drejtuesish të shëndetësisë. Kjo strategji ka për qëllim përmirësimin e dukshëm të kontrollit të tuberkulozit në atë shkallë sa ai të mos përbëjë më problem për shëndetin publik.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u bëri thirrje të gjithë organizmave drejtues për një vëmendje të veçantë kundrejt tuberkulozit, si një sëmundje që nëse neglizhohet, mund të përkeqësohet në mënyra dramatike. "Fenomene të reja dhe faktorë që mund të përkeqësojnë situatën e tuberkulozit janë të pranishëm dhe mund të shtohen në të ardhmen, nëse nuk merren masa adekuate", sqaroi ministrja. Çdo ditë, gati dy persona preken nga tuberkulozi. Në 100 mijë banorë preken nga kjo sëmundje infektive rreth 15 pacientë të rinj. Vetëm këto dy vitet e fundit nga shifrat e mbledhura në spitale janë diagnostikuar 500 raste çdo 12 muaj. Këto shifra u konsideruan jo normale, pasi duke krahasuar popullsinë tonë dhe atë evropiane, rastet e reja të shfaqura me tuberkuloz kanë qenë shifra të konsideruara të larta. Sëmundja e tuberkulozit shfaqet në vendet ku ka kushte higjienike të ulëta, prek atë kontingjent njerëzish që jetojnë në shtëpi me lagështi dhe në përgjithësi zonat e varfra ku pacientët neglizhojnë të paraqiten në spital dhe në gjendje të përkeqësuar.

Sipas të dhënave të spitalit të sanatoriumit "Shefqet Ndroqi", pacientët të cilët janë drejtuar për ndihmë pranë kësaj qendre janë kryesisht banorët e zonave verilindore. Rreth 70 për qind e rasteve të paraqitura janë nga qyteti i Dibrës, Shkodrës dhe Kukësit. Por të prekurit nga tuberkulozi nuk janë vetëm në këto qytete.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›