E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçe, shkollat furnizohen me lëndë ngrohëse

Temperaturat që janë ulur ndjeshëm dhe përkeqësimi i motit me ngrica në juglindje të vendit kanë çuar në furnizimin e menjëhershëm të shkollave dhe kopshteve me lëndë ngrohëse. Sipas grafikut të hartuar nga drejtoria mbështetëse e arsimit, menjëherë me ftohjen e motit dhe uljen e temperaturave deri në zero gradë, ka nisur furnizimi i të gjitha institucioneve të arsimit për të mundësuar dhe siguruar ngrohjen e ambienteve, ku mbahen fëmijët dhe nxënësit dhe ku kryhet procesi ditor i mësimit. Çdo shkollë dhe kopsht ka marrë sasinë e druve sipas kërkesës dhe nevojave përkatëse. Sipas të dhënave, nga drejtoria mbështetëse e arsimit është bërë brenda dy ditëve të fundit shpërndarja e 750 metrave stere dru zjarri, në të gjitha kopshtet dhe shkollat e Korçës. Sasia e kësaj lënde drusore, siç deklaron drejtori Arqile Lluka, do të përdoret nga institucionet e arsimit për ngrohje deri në fund të muajit dhjetor. "Kjo sasi lënde ngrohëse është akorduar vetëm për muajt nëntor dhe dhjetor dhe është e mjaftueshme për të përballuar ngrohjen e ambienteve ku kryhet mësimi deri në fund të vitit". Sipas drejtorit ekonomik të arsimit do të shpërndahet edhe fondi i dytë për periudhën tjetër deri në fund të muajit mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›