E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, shkollat publike pa sistem ngrohës

Ardhja e temperaturave të ulëta ka bërë që shumë shkolla publike të Rrethit të Fierit të përballen me të ftohtin. Ndërkohë që rritja e çmimeve për lëndët djegëse ka vënë në vështirësi kopshtet e çerdhet. Tri ditët e fundit, është ulur frekuentimi i nxënësve në shkollat publike, ndërsa fëmijët e vegjël, si shkak i të ftohtit, janë prekur nga viroza e stinës dhe kanë mbushur urgjencën dhe spitalin. Të gjitha shkollat publike të Rrethit të Fierit nuk kanë sistem ngrohës. Mjeti i vetëm me të cilin ngrohen nxënësit që vazhdojnë shkollat 9-vjeçare dhe të mesme është numri i lartë i teshave që veshin. Drejtuesit e shkollave publike të Fierit kanë kërkuar me anën e një kërkese zyrtare, prej Drejtorisë Arsimore, ndërhyrje për vendosjen e sistemit ngrohës. Një prej tyre, drejtoresha e shkollës "Naim Frashëri", Irma Spaho, jo vetëm që ka pohuar ndikimin negativ në frekuentimin e shkollës pas ditëve të ftohta, por ka thënë se "nuk mund të përdoren as rezistenca apo kaloriferë, pasi ne si shkollë jemi debitorë ndaj OSSH-së". Në një situatë të tillë me borxhe të mëdha për energjinë e konsumuar janë të gjitha shkollat e Rrethit të Fierit. Duke qenë se faturat e energjisë së konsumuar nga këto institucione nuk janë paguar, OSSH filiali Fier, ka vendosur t‘u ndërpres atyre energjinë edhe për ndriçim. Situata vështirësohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për sistemin parashkollor. Në kopshtet dhe çerdhet e Fierit, frekuentimi i fëmijëve ka rënë pothuaj gjysmë për gjysmë. Edukatoret dhe drejtueset e kopshteve tregojnë se lënda djegëse që përdorin për ngrohje mbaron që në ditët e para të një muaji. Fëmijët e kopshteve dhe çerdheve të Fierit kanë mbushur urgjencat dhe spitalin. Bëhet fjalë për një virozë të rënë, si shkak i temperaturave të ulëta. Nga ana tjetër, Lumturi Moçi, drejtuese e qendrës ekonomike në Bashkinë e Fierit, pranon mosndërhyrjen e bashkisë për vendosjen e sistemit ngrohës në të gjitha institucionet arsimore. Moçi ka thënë se do të kërkojë prej bashkisë e këshillit bashkiak rritje të kuotës mujore për lëndë djegëse. Ajo ka pranuar kuotën e vogël që vjen si rezultat i çmimeve të ngritura, ndërkohë që ka thënë se për shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, bashkia është duke hartuar një projekt që do të zgjidhë problemin e ngrohjes. Edhe pse bashkia u kujtua me vonesë për të ndërhyrë në sistemin ngrohës, fëmijët dhe prindërit shprehen pesimistë se ky dimër, por dhe tjetri, do të kalohen me më shumë rroba të veshura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›