Fëmijët në shkollë, sa u kushtojnë prindërve
Shtrenjtimi i mallrave në muajt e fundit tregohet i pamëshirshëm edhe në sendet shkollore, të cilat sivjet kushtojnë mbi 20% më shumë
Shtrenjtohen artikujt shkollorë, mbi 200 mijë lekë për të shkolluar fëmijën përgjatë një viti
Këtë javë, në bankat e shkollës janë rikthyer mijëra fëmijë. Dhe bashkë me gëzimin për fillimin e vitit të ri shkollor, prindërit ndodhen nën presionin e shpenzimeve të mëdha, shpeshherë të papërballueshme për ta. Fëmijët duan që mjetet e shkollës të jenë bashkëkohore, ndërkohë që prindërit mendojnë për shpenzimet.
Sipas një sondazhi të gazetës, prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollën fillore, kanë harxhime rreth 200 mijë lekë për gjithë periudhën shkollore 9-mujore, vetëm për blerjen e librave dhe mjeteve shkollore. Në gjimnaz, kostoja rritet edhe më shumë, dhe akoma më shumë në fakultet.
Artikujt shkollorë 20% më shtrenjtë
Shtrenjtimi i mallrave në muajt e fundit, tregohet i pamëshirshëm edhe në sendet shkollore, të cilat sivjet kushtojnë mbi 20% më shumë. Nga një vëzhgim i gazetës “Shekulli” u vu re se nëpër shkolla, shumica e fëmijëve të klasave fillore kishin çanta të shtrenjta dhe mjete shkollore po të shtrenjta. Rreth 20 prindër të pyetur dje afër shkollës “11 Janari”, në kohën kur nxënësit dilnin nga shkolla, janë përgjigjur se shpenzimet më të mëdha i kanë bërë pasi fëmijët e tyre donin mjete shkollore me personazhin e “Winx”-it apo “Dragonbollit”, të cilat kushtonin shumë më shtrenjtë krahasuar me mjetet e tjera që nuk përmbanin këto personazhe. Sipas sondazhit, këtë vit, çmimet kanë qenë shumë më të shtrenjta se viti i kaluar dhe kjo ka bërë që shpeshherë tekat e fëmijëve të mos plotësohen.
“Shpenzova rreth 10 mijë lekë të reja për të blerë vetëm mjetet shkollore të vajzës”,- thotë Leta Azbiu, mamaja e Anës, një vajzë të vogël e cila shkonte këtë vit në klasën e tretë. “Ajo donte çdo gjë me winx-a (personazh shumë i pëlqyer për fëmijët sot), dhe winx-at kishin çmime shumë të shtrenjta”,- vazhdon ajo. Nga sa pyetëm, një çantë me Winx-a origjinale vërtitej rreth çmimit 5 mijë lekë. Një gomë, ose prefëse 200 lekë, një stilolaps 200 lekë, një kuletë 1 000 lekë. Ndërkohë që mjetet shkollore të cilat nuk i kishin këto personazhe ishin me çmime sa një e treta e vlerës. P.sh., një çantë normale pa personazh mund të gjendej edhe me 1500 lekë, një kuletë me 200 lekë, një gomë për 20 lekë e kështu me radhë.
Kosto e kurseve
Por përveç librave e mjeteve shkollore, prindërit duhet të shpenzojnë vitet e fundit edhe për kurset e fëmijëve të tyre, të cilat fillojnë që në fillore. Kështu, një kurs i Anglishtes, kushton rreth 3 mijë lekë të reja, kursi i kompjuterit gjithashtu 3 mijë lekë. Të gjitha këto i kushtojnë nga 3-11 rroga në vit prindërve të cilët nuk mund të refuzojnë kur bëhet fjalë për arsimimin e fëmijëve të tyre të dashur.
Pavarësisht se në shkollat shtetërore ofrohen orë të plota mësimi, e akoma edhe orë passhkollore për lëndë të ndryshme, prindërit dhe fëmijët nuk i konsiderojnë të mjaftueshme. Kurset jashtëshkollore ndodhen kudo për të plotësuar “boshllëqet” duke rënduar edhe më shumë në xhepat e prindërve.
Në këtë artikull nuk janë përfshirë 59% e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në familje plotësisht të varfra, 4654 fëmijë romë që jetojnë me punë të rëndomta dhe nuk shkojnë fare në shkollë, e të tjerë fëmijë të ngujuar apo në zona të largëta malore të cilët e kanë të pamundur arsimimin, dhe mjetet shkollore për ta janë një luks.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të lypë dhe asnjë fëmijë analfabet. I kemi të gjitha burimet financiare dhe profesionale për t’i zgjidhur këto probleme”,- deklaroi Kryeministri disa muaj më parë, duke vënë në pozitë disa nga ministrat e tij që nuk hezituan të shfajësohen, duke kërkuar më shumë ligje dhe më shumë kode.
Në këto ditë, qeverisë i dalin në pah më shumë probleme dhe boshllëqe si në aspektin ligjor të të drejtave të fëmijëve, ashtu edhe në shërbimet e ofruara për ta dhe familjet e tyre.