Transplanti i veshkave, italianët kërkojnë llogari për vonesat
Shefi i Nefrologjisë, Thereska pohon se janë nën presionin e INTERREG III për transplantin. Hodhën 2 milionë euro
Transplanti i veshkave duhej të ishte realizuar para dy vjetësh ndaj mos e vononi më. Madje kjo vepër e rëndësishme për shëndetësinë shqiptare është neglizhuar nga struktura shqiptare pasi nuk kanë treguar përkushtim maksimal. Të ndodhur përballë këtyre fakteve, pala italiane e INTRREG III, të cilët financojnë transplantin e veshkave ka kërkuar që të realizohet transplanti para afatit të përfundimit të projektit. Këtë e pohon për gazetën “Shekulli” shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, i cili thekson se ndodhen nën presionin e vazhdueshëm të italianëve për shkak të vonesave të tepërta që janë bërë për transplantin dhe synojnë që deri në Tetor ta realizojnë atë. Ndërkohë, Drejtori i projektit INTERREG III, Bardh Spahia pohon se vonesat e fundit janë pikërisht për faj të Drejtorisë së Spitalit “Nënë Tereza”, të cilët nuk realizuan ambientet brenda standardeve, edhe pse kishin hedhur fondet.
Transplanti
Mbledhje urgjente është realizuar para dy ditësh me ministren e Shëndetësisë, mjekë dhe përfaqësues të INTERREG III, për të realizuar transplantin sa më shpejt. Kësaj radhe duket se ka qenë pala italiane më e interesuar për të realizuar këtë vepër, pasi janë ata që e financojnë. “E vërteta është se duhej të ishte realizuar më parë, por për shkak të mos impenjimit në maksimum nga ana jonë kanë dalë disa vonesa absurde. INTERREG III ka hedhur plot 2 milionë euro për të realizuar transplantin, ndaj dhe ka të drejtë të kërkojë llogari se çfarë është bërë me fondet që kanë hedhur”,- pohon Thereska, duke shtuar se italianët duket sikur janë më të interesuar se shqiptarët për të realizuar transplantin e veshkave pasi kërkesa e tyre ka qenë më e madhe. Ndërsa Bardh Spahia pohon se interesi është njësoj nga të dyja palëve për ta realizuar, por kjo është penguar nga probleme teknike dhe pikërisht për faj të disa strukturave përgjegjëse.
Realizimi
Staf i tërë i specializuar në Itali për të realizuar transplantin. Madje në spitalin e Barit mjekët tanë kanë realizuar 3 transplante. Por përveç investimit në njerëz, sipas Nestor Thereskës nuk kanë munguar as investimet në aparatura. “Mund të them se për 40 vjet që kam në shëndetësi, kjo është një ndër arritjet më të mëdha që kërkojmë të bëjmë dhe e them me bindje se kemi specialist të mirëfilltë që janë gati ta realizojnë dhe nuk mund të tolerohet më që të zvarritet kjo vepër e madhe”,- pohon Thereska. Ndërkohë ia shpjegon se për të realizuar transplantin është gati edhe Laboratori i Imunologjisë, në QSUT, i cili është brenda të gjitha standardeve.
Thereska: Transplanti u vonua për shkak të neglizhencës
Transplanti i veshkave, me fondet që ka hedhur INTERREG III, duhej të ishte realizuar që para dy vjetësh. Përse këto vonesa dhe kur do të realizohet transplanti?
Për hir të së vërtetës, duhej të kishte përkushtim më të madh nga të gjitha strukturat përkatëse. Nuk mund të them që është bërë qëllimisht, por në fakt ka patur neglizhenca dhe mungesë korrektësie. Duhej një përkushtim më i madh nga të gjithë dhe ta shikonim si një arritje për shëndetësinë dhe vendin tonë. Pikërisht për këtë, dje kishim një mbledhje me ministren e Shëndetësisë, Anila Godo dhe Drejtoreshën e QSUT-së, ku u diskutua që transplanti të realizohet sa më shpejt. Vonesat e fundit kishin të bënin pikërisht me problemet teknike që dolën me sallat e operacionit, të cilat nuk plotësonin standardet, ndonëse për to ishin hedhur fondet.
INERREG III, që ka hedhur fondet për realizimin e transplantit në Shqipëri, si i shikon arritjet e deritanishme nga ana jonë?
Në fakt duhet të pranojmë se kohët e fundit ndodhemi nën presion nga ana e tyre, se përse nuk e kemi realizuar ende. Ata kanë hedhur 2 milionë euro për ta realizuar transplantin, i cili duhej të kishte filluar para 2 vjetësh dhe vonesat mendoj se tashmë janë të patolerueshme. Nuk kemi si i justifikojmë më vonesat që lindin për shkak të neglizhencave apo mospërkushtimit nga ana jonë.
A kemi ne mundësi për ta realizuar transplantin e veshkave si në aspektin profesional edhe në atë teknik?
Absolutisht po. Sidomos, sa i takon përgatitjes së stafit për ta realizuar transplantin, kam besim të plotë që mund t’ia dalin me sukses. Fakti që nuk është realizuar deri më sot, ka të bëjë pikërisht me disa probleme të vogla teknike që kanë penguar këtë punë të madhe. Mendoj se çdo gjë shumë shpejt do jetë gati, ndaj dhe në Tetor mendojmë ta realizojmë atë.
Spahia: Drejtoria e QSUT-së mori fondet, por nuk bëri sallat
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duhej të kishte përfunduar rikonstruksion e sallave të operacionit për transplantin, por nuk e bëri, ndonëse janë hedhur fondet. Kështu u shpreh drejtori i INTERREG III, Bardha Spahia, i cili theksoi se vonesat e fundit kanë të bëjnë pikërisht me këtë problem teknik.Megjithatë, ai pohon se do të bëjnë ta pamundurën që transplanti i veshkave të realizohet brenda afatit të përfundimit të projektit. “Mendoj se vonesat me transplantin kanë të bëjnë me disa çështje teknike shumë të vogla, të cilat e kanë penguar këtë vepër në shëndetësi. Por dua të theksoj se interesi ka qenë maksimal nga pala italiane dhe nga ana jonë, dhe shpresojmë se shumë shpejt do ta realizojmë transplantin”,- pohon Spahia. Ndërsa, sa i takon Drejtorisë së QSUT-së, e cila nuk është treguar aspak korrekte me ambientet që duhet të përgatiste për transplantin, Spahia pohon se tashmë që janë ndryshuar drejtorët e shohin si një zvarritje akoma më të madhe të punës. “Problemi është se tashmë janë drejtorët e rinj dhe fondet janë dhënë kur ishin paraardhësit, ndaj po rishikohet kjo situatë për të realizuar ambiente sipas standardeve për transplantin e veshkave”,- pohon Spahia