E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët shqiptarë gati për festivalin e Beogradit

TIRANE- Qëndra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të çelë aktivitetet e saj për sezonin e ri artistik me pjesëmarrjen e fëmijëve shqiptarë në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve "Joy of Europe", në kryeqytetin Beograd të Serbisë që zhvillon këtë vit edicionin e tij të katërt në datat 1-5 tetor.
Rrethi i baletit i QKKF-së do të paraqitet me kërcimtarë dhe me pjesë të zgjedhura nga performanca të ndryshme artistike, por do të ketë dhe balet të stilit dance-theatre.

Drejtoresha e QKKF-së, Nigda Dako, në një prononcim për mediat, tha se edhe një vit më parë Shqipëria u përfaqësua në këtë aktivitet me një prezantim dinjitoz të fëmijëve shqiptarë dhe besohet që dhe këtë vit do të prezantohemi shumë mirë.

Ky festival është traditë në qytetin e Beogradit prej vitit 1969. Vitin që shkoi në të morën pjesë fëmijë nga 20 shtete të Europës. Qëllimi i "Joy of Europe" është një takim miqësie, ku të gjithë fëmijët pjesëmarrës shkëmbejnë eksperienca dhe miqësi me njëri-tjetrin.

Pas këtij aktiviteti, radhën e ka “Fest Loja", që zhvillohet në Durrës dhe që mbledh qindra fëmijë nga shtete të ndryshme. “Fest Loja” përfshin veprimtari sportive dhe artistike, që evidentojnë vlerat e lojërave popullore dhe valleve folklorike.

Ky aktivitet zhvillohet në këtë qytet prej 10 vjetësh dhe këtë vit pritet që grupe të ndryshme për disa ditë të prezantojnë vlerat e rralla të folklorit të trevave që përfaqësojnë dhe traditat e përbashkëta. Një vit më parë në këtë aktivitet u mblodhën 800 fëmijë nga i gjithë Ballkani.
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›